Ergini Dini do të festonte sot datëlindjen e tij të 28-të. Një nga artistët më të mirë të rinj të vendit tonë u nda tragjikisht nga jeta 6 vite më parë, pas një aksidenti me motor që ndërpreu në mes jetën e tij në një moshë shumë të vogël dhe karrierën e tij, që ishte vërtetë premtuese.
Po ashtu gjatë aksidentit famëkeq ndërroi jetë edhe miku i këngëtarit, Klejdi Halili, 21 vjec.
Megjithatë kujtimi i Ergit ende jeton, shpesh herë përmes atyre që ishin kolegët e tij, kujtojmë atë cka bëri Arilena Ara në koncertin e saj, por mbi të gjitha nga e motra, Barbana Dini.
Këngëtarja sigurisht e ka kujtuar edhe sot të vëllain, në ditën speciale për familjen e saj, ndërsa bashkangjitur me një foto të tyren, bën një dedikim emocionues:
“Sot është ditëlindja jote ëngjelli im, Ergi! Sot do jepja gjithçka,edhe jeten time, të isha duke festuar per ty,por gjithçka ndjej dhe kam është një dhimbje dhe mall që më gërryen shpirtin çdo ditë. Edhe lumturia nuk është lumturi pa ty…Nga njëra anë kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën time,nga ana tjetër nuk ka ndryshuar asgjë…mungon TI pika ime e dobët, që më “detyroi” të bëhem e fortë!”.