Dizajneri 21-vjeçar nga Kosova, Choixx, i cili triumfoi në finalen e madhe të emisionit “Style Star” në Shqipëri, si çmim fitues kishte mundësinë ta prezantojë koleksionin e tij të veshjeve në Paris.
Por, vlerësimi i punës u bë vetëm nga juria, pasi çmimi fitues nuk iu dha dizajnerit të ri.
Qëndrim Hasani, i njohur me emrin Choixx, në intervistë për Portalin Dukagjini, ka treguar se menjëherë pas disa javësh që ka përfunduar emisioni, i ka kontaktuar për të marrë informacione më të hollësishme, duke rënë dakord me produksionin e emisionit që të bëjnë një takim, i cili sipas tij, nuk është bërë kurrë.
“Të them të drejtën pasi përfundoi emisioni që dola si fitues i kam kontaktuar unë të marr informacione se si do të bëhet prezantimi i një koleksioni në shtëpinë më të madhe të modës në Paris, dhe kemi rënë dakord që të bëjmë një takim pikërisht për këtë gjë, por që ai takim nuk u bë kurrë”, është shprehur Choixx.
Ai ka thënë se aspak nuk i ka bërë presion produksionit të emisionit rreth marrëveshjes në lidhje me çmimin fitues, por vetëm ka dashur të dijë se si do të bëhet në mënyrë që të jetë i përgatitur. Por sipas tij, ata nuk i janë përgjigjur telefonatave të tij.
“Në dy apo tre telefonatat e mia dhe mesazhet që i kam bërë nuk më është kthyer përgjigje, dhe e kam hequr nga mendja sepse nuk dua të rri duke pritur në një përgjigje, kur gjatë kësaj kohe mund të punoj në gjërat e mia në brendin tim, sepse suksesi i punës time nuk varet nga një çmim i tyre që unë fitova”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka thënë se nuk i është ofruar asgjë, as edhe ndonjë përfitim financiar, por edhe nëse tani i ofrohet, ai ka thënë se nuk do ta pranonte më.
Ndërsa, konkurrentja finaliste, Armida Kadriu, e cila nuk ka mundur të jetë pjesë e finales për shkak të një problemi shëndetësor, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se fakti që Choixx nuk ka marrë çmimin nuk ishte habi për të, pasi sipas saj, një pjesë e madhe televizioneve i përdorin figurat e reja me pretekstin që, televizioni në fjalë po i bën të njohur dhe çfarë u duhet më shumë.
“Ishte një humbje kohe shumë e madhe. Unë e dija që nuk do të jepej një çmim, sepse kishte një fasadë shumë të madhe përpara, dhe një emsion jo aq i përgatitur sa duhet. Më vjen keq për Choixx, sepse ne kemi dhënë shumë nga vetja, dhe po ashtu shpenzim ekonomik shumë i madh”,ka thënë Kadriu.
Po ashtu, ajo ka thënë se televizionet shqiptare nuk janë aspak suportuese për të rinjtë, dhe sipas saj, janë një mashtrim total.