Përmes dy mbrëmjeve gala të 15 dhe 16 shtatorit, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), inaguroi rikonstruksionin e ndërtesës dhe festoi 65-vjetorin e krijimit, me të ftuar specialë artistë të njohur si Placido Domingo dhe Ermonela Jaho.
Njerëzve nuk u shpëtoi mungesa e sopranos së mirënjohur Inva Mula, një emër që supozohej të ishte në ceremoni jo vetëm për kontributin e saj, por edhe për të përfaqësuar prindërit, Avni dhe Nina Mula, dy nga themeluesit e teatrit.
Dyshimi se mos Inva nuk gjendej në Tiranë ra poshtë kur sopranoja u shfaq në koncertin e Ermal Metës (17 shtator) në Air Albania. Pas kësaj, nisën aludimet se pse një emër si Inva Mula nuk mori ftesë?
Përmes një deklarate zyrtare, TKOBAP u shpreh se “nëpërmjet drejtoreshës artistike, znj.
Abigeila Voshtina, ashtu si të gjithë artistëve shqiptar ekselentë, i ka dërguar edhe znj. Inva Mula ftesat zyrtare për pjesëmarrjen në programin artistik të Mbrëmjes Gala të Inaugurimit të Rikonstruksionit të TKOBAP”.
“Këto ftesa zyrtare, janë përsëritur tre herë, duke filluar nga data 11 nëntor 2019, pasi TKOB ka patur në planet e veta që atëherë realizimin e Mbrëmjes Gala të Inaugurimit, plane të cilat janë shtyrë për shkaqe madhore si: tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas situata Covid 19.”
Në vijim thuhet:
“Sqarojmë gjithashtu se një muaj përpara ftesës së fundit zyrtare të bërë nga drejtoresha artistike, znj. Voshtina (në email-in e datës 19 korrrik 2021), drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP-së, znj.
Zana Çela i ka dërguar në datë 14 qershor 2021 një mesazh shoqëror në WhatsApp, znj. Mula, por edhe në këtë rast nuk ka patur asnjë përgjigje.
Më poshtë gjeni të renditur sipas datave ftesat zyrtare në email dhe mesazhin.”
Vlen të theksohet se emailet drejtuar Invës lidhen me datën 16 dhe 17 shtator, por nuk rezulton të ketë ftesë për të interpretuar në datën 15 shtator, ditën kur performuan Placido Domingo dhe Ermonela Jaho.
Tiranapost.al shkruan se Avni dhe Nina Mula, siç thamë ndër themeluesit e TKOB, nuk u përmendën gjatë ceremonisë. Përmes një interviste me gazetaren Mira Kazhani, sopranoja foli për herë të parë dhe theksoi, ndër të tjera, se nuk mori ftesë për të performuar.
“Unë nuk kam zemërim. Nuk kam zemërim për atë që bënë. Nuk kam zemërim, por kam një detyrim për të thënë të vërtetën, meqë tani u hapën gjërat dhe po tregohen dhe mesazhe, nëse e gjeni datën 15 që Inva është ftuar për të qenë në skenë, ma jepni dhe tani janë të qarta gjërat që mund të jenë shumë transparente,” tha ajo.
Inva shtoi gjithashtu: “Atë mospjesëmarrjen time si protagoniste në skenë do t`ua fal të gjithëve. S`ka gjë se unë kam akoma vite për ta rikuperuar, por që mos të flitet për Nina dhe Avni Mulën, këtë nuk e fal dot. Nuk e fal dot. Nuk është çështje falje, por e them me plot gojën që kjo më ka trishtuar shumë.”