Angelina Jolie ka paraqitur dokumente gjyqësore ku akuzon ish-bashkëshortin Brad Pitt se e kishte sulmuar atë dhe fëmijët e tyre kur ishte në gjendje të dehur gjatë një fluturimi me avion privat në 2016-ën, gjë që e shtyu atë të bënte kërkesë për divorc.
Në një padi për një punishte vere franceze që yjet blenë, Jolie thotë se Pitt e kapi nga koka dhe sulmoi dy nga fëmijët e tyre në udhëtimin me avion.
Pitt gjithashtu abuzoi verbalisht dhe derdhi alkool mbi familjen e tij gjatë fluturimit nga Franca në Los Anxhelos, thotë ajo.
Nga ana tjetër, Pitt i mohon akuzat. Një burim i afërt me aktorin i tha BBC-së se pretendimet e Jolie ishin të rreme.
“Ajo vazhdon të rimendojë, rishikojë dhe riimagjinojë përshkrimin e saj për një ngjarje që ndodhi gjashtë vjet më parë duke shtuar informacione krejtësisht të pavërteta sa herë që nuk arrin të marrë atë që dëshiron”, tha burimi. “Historia e saj po evoluon vazhdimisht.”
Pretendimi i Jolie për sjellje abuzive nga Pitt në fluturimin e 14 shtatorit 2016 është shfaqur në dokumentet e mëparshme gjyqësore.
Por detaje të reja u pretenduan në dosjen e së martës në Los Angeles nga ekipi ligjor i Jolie. Kjo është pjesë e një procesi gjyqësor mbi Chateau Miraval SA, një shtëpi dhe vresht në jug të Francës që ish-çifti bleu së bashku.
Pitt argumenton se ai dhe ish-gruaja e tij kishin rënë dakord të mos i shesin aksionet e tyre pa lejen e tjetrit. Jolie e kundërshton këtë dhe fajëson Pitt për përfundimin e negociatave për blerjen e aksioneve të saj të pronës.
Ankesa e saj e së martës thotë se aktori ka qenë fizikisht dhe emocionalisht abuzues ndaj saj dhe gjashtë fëmijëve të tyre – të moshës 8 deri në 15 vjeç në atë kohë – gjatë fluturimit me aeroplan privat.
Avokatët e saj pretendojnë se Pitt filloi të bërtiste, duke e akuzuar atë se ishte “shumë protektive ndaj fëmijëve”.
Pitt e tërhoqi atë në tualet në pjesën e pasme të aeroplanit, thuhet në padi.
“Pitt e kapi Jolie nga koka dhe e tundi, dhe më pas e kapi nga shpatullat dhe e tundi përsëri përpara se ta shtynte në murin e banjës”, shton dokumenti.
Më pas Pitt goditi me grusht tavanin e avionit shumë herë, duke e shtyrë Jolie të largohej nga banja. Pasi një nga fëmijët ndërhyri verbalisht, Pitt “u hodh mbi fëmijën e tij”, thuhet në dosje.
Jolie më pas “e kapi nga pas për ta ndaluar”, sipas dokumenteve të gjykatës.
“Për ta larguar Jolie nga shpina, Pitt u hodh mbrapsht në sediljet e aeroplanit duke plagosur shpinën dhe bërrylin e Jolie-t”, vazhdon procesverbali ligjor. “Fëmijët nxituan dhe të gjithë u përpoqën të mbronin njëri-tjetrin. Para se të përfundonte, Pitt kapi për gryke njërin nga fëmijët dhe goditi një tjetër në fytyrë.”
Avokatët e Jolie thonë se ajo dhe fëmijët e saj qëndruan të heshtur për pjesën e mbetur të fluturimit.
“Pitt dilte periodikisht nga pjesa e pasme e avionit për të bërtitur dhe sharë ndaj tyre. Në një moment, ai derdhi birrë mbi Jolie, në një tjetër, ai derdhi birrë dhe verë të kuqe mbi fëmijët”, thuhet në dosje.
Incidenti u hetua nga FBI në vitin 2016. Autoritetet vendosën të mos ngrinin akuza. Vitin e kaluar, një gjykatës u dha kujdestarinë e përbashkët të fëmijëve të dy prindërve.
Burimi: /RevistaClass