Me ardhjen e verës, të gjithë janë të interesuar se çfarë do ndodhë me orën policore. Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj tha sot se heqje 100 për qind të kufizimeve anti-covid me shumë mundësi këtë verë nuk do të ketë.
I ftuar në “Radari Informativ”, Brataj tha se situata po analizohet nga Komiteti çdo 15 ditë, por theksoi se vigjilenca nuk duhet ulur sidomos nga dominimi i variantit Delta në botë.
“Analiza e mirfilltë është diçka tjetër. Realiteti është i lidhur me interpretimin epidemiologjik të situatës. Në qoftë se shtatë vetë shtrohen në spital duhet të ketë të paktën 140 të infektuar. Njerëzit nuk kërkojnë më tampon. Ata që sëmurën i shkojnë spitalit kur s’kanë nga t’ia mbajnë më. Problemi është çfarë po ndodh rreth nesh? Varianiti indian po merr gjysmën e botës. Po na afrohet nga Rusia, Indonezia. Portugalia ka shumë raste, Anglia..”
Barataj tha se e gjithë bota është e rrezikuar nga ky variant i virusit ndërsa tha se vjeshta na pret me rritje të rasteve me këtë mutacion të virusit.
“Shoh gjithë botën të rrezikuar. Vera krijon serbatorë të rinj të infektuarit me një variant të ri.”
Ndërsa, i pyetur për pabarazinë që ka mes masave të aplikuara për turistët me ato që janë në fuqi për qytetarët shqiptarë, kreu i Urgjencës Kombëtare tha se në rastet pa simptoma tamponi ka treguar që mund të jetë fals negativ dhe se kjo është një gjë që s’mund të kontrollohet. Masat tërësisht nuk mund të hiqen, theksoi edhe një herë Brataj duke rikujtuar atë që Komiteti i Ekspertëve ka bërë të ditur tashmë, që do të ketë lehtësim gradual në bazë të situatës epidemiologjike.