Shkënda Lili është dedektivja më e famshme në Shqipëri, që ndryshe nga kolegët e saj nuk ka ngurruar të flasë publikisht për punën që bën, por edhe të ndajë raste nga eksperienca e saj disavjeçare në këtë fushë.
E ftuar mbrëmjën e djeshme në ”Më lër të flas”, ajo foli për tradhtinë dhe tregoi se kush tradhton më shumë: meshkujt apo femrat.
”Në fillimet e mia kanë ardhur femrat më shumë, ishte një përqindje e madhe femrash që kishin dyshime dhe kërkonin t’i zbulonin këto dyshime, por është rritur numri i kërkesave të meshkujve, që duan të dinë për partneret e tyre”, tha ajo.
Më pas ajo shpjegoi se me kalimin e viteve jo të gjithë personat që tradhtojnë shkojnë në divorc. Sipas saj ky është një problem, pasi çiftet bëjnë kompromise me njëri-tjetrin për të mos arritur deri te ndarja. Ndër të tjera Lili shtoi se shqiptarët zbulohen shumë kollaj kur tradhtojnë, pasi lëvizin lirshëm në përditshmëri.
”Raste ka pafund. Me kalimin e viteve po e shoh akoma më shumë që jo të gjithë shkojnë në divorc për tradhti. Unë e quaj problem, të kapësh partnerin ose partneren duke tradhtuar dhe ata bëjnë një kompromis më pas me njëri-tjetrin dhe jo të gjithë shkojnë në divorc. Shqiptarët kapen kollaj, janë të lirshëm në ditët e sotme. Është shumë e thjeshtë nga unë dhe kolegët e mi t’i kapim. I investigojmë që në momentin që dalin nga shtëpia.”, -shtoi më tej ajo.