Një ngjarje e rëndë tronditi vendin dy ditë më parë kur një 13-vjeçar nga Lushnja u gjend i pajetë nga prindërit në dhomën e tij. Fillimisht u tha se i mituri ka vrarë veten e më pas detaje tronditëse dolën në dritë.
13-vjeçari dyshohet se ka humbur jetën për shkak të një video në TikTok. Shokët e tij të klasës kanë treguar se adoleshenti ka qenë përdorues i rrjeteve sociale dhe një nga dyshimet për vdekjen e tij lidhet me realizimin e një videoje.
Por, cila është loja famëkeqe?
“Blackout challenge” është sfida që inkurajon përdoruesit e TikTok që të asfiksojnë veten deri në pikën e humbjes së vetëdijes dhe më pas rezultatet t’i tregojnë në TikTok. Sfida e rrezikshme ka ekzistuar më parë dhe është njohur si “Blackout”, “Loja e Mbytjes”, “Ëndërrimi i Shpejtë” ose “Loja e të fiktit”. Shumë profesionistë mjekësorë kanë paralajmëruar që atëherë se trendi mund të çojë në gjendje të fikti, dëmtim të trurit dhe madje edhe vdekje.
Çfarë thotë TikTok për këtë?
Edhe pse trendi është bërë viral, TikTok pretendon se nuk ka gjetur asnjë provë për përmbajtjen e kësaj sfide në platformën e tyre.
“Ne nuk lejojmë përmbajtje që inkurajon apo promovon trendë të rrezikshme të cilat mund të sjellin fatalitete të tilla. Ekipet tona punojnë vazhdimisht për identifikimin dhe zhdukjen e trendeve të tilla nga TikTok,”- kanë thënë ata.