Nick Cannon është aktor, komedian, këngëtar dhe plot gjëra të tjera, teksa ka një karrierë të gjatë e të suksesshme në Hollywood, megjithatë më së shumti, sidomos këto vitet e fundit, njihet për punën “në krevat”, më saktë si babai i 12 fëmijëve.
Kështu, ai ka 12 vajza e djem me 6 gra të ndryshme, por edhe pse njihet si një baba i përkushtuar dhe që përmbush të gjitha detyrimet e tij (financiare se për kohë nuk besojmë se ka për të gjithë), mesa duket kur vjen puna për emrat e vogëlushëve, nuk i mban mend të gjithë.
Gjatë intervistës së fundit në “The Howard Stern Show”, host-i i emisionit i kërkoi që të përmendte të gjithë fëmijët dhe komediani ju përgjigj me emrat: “Maroken dhe Monroe, për ne Roc dhe Roe, Golden, Powerful dhe më pas Zion, Zillion, Zen. Pastaj Legendary Love, Rise” dhe pas kësaj një pushim i shkurtër, para se Howard t’i thoshte se mungon një.
Kështu, Cannon la pa përmendur Onyx Ice Cole, edhe pse tha se “nuk kishte përfunduar ende”, por ishte e qartë që për një moment “i doli nga mendja”. Onyx Ice Cole Cannon është fëmija i tij i 9-të, që erdhi në jetë në shtator 2022, me modelen LaNisha Cole.
Në këtë program ai po ashtu tha se mund t’i pëlqente të dilte me Taylor Swift, “për fëmijën numër 13”, duke qenë se është edhe single së fundmi. Me Taylor ose ju, nuk e dimë, por nuk do ishte aspak cudi të dëgjonim për numrin 13, duke marrë parasysh rekordin e Nick.
Fakti që harroi një emër, nuk është kritikuar edhe aq në rrjet, duke qenë se janë plot 12, megjithatë si baba, duhet ta kujtonte, edhe po të ishin 22.