Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur rreth mëngjesit të sotëm, ku deri më tani raportohet për 10 viktima dhe 44 të plagosur.
Autobusi me targa kosovare udhëtonte tranzit në Kroaci nga Frankfurti në drejtim të Prishtinës. Sipas gazetave kroate, thuhet se kishte gjithsej 67 pasagjerë dhe dy shoferë në bord. Mësohet se 10 viktimat, përfshi dhe njërin prej shoferëve ishin shqiptarë të Kosovës.
Ndërkohë që autoritetet po përpiqen të zbardhin çfarë e shkaktoi aksidentin tragjik, nga hetimet paraprake thuhet se lodhja e shoferëve mund të ketë shkaktuar përplasjen.
“24sata.hr” shkruan se shkak i daljes së autobusit nga rruga dyshohet se ka qenë lodhja e shoferit, të cilët kishin vetëm 30 minuta që ishin ndërruar pas një pushimi që kishin bërë në Kroaci.
Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç u shpreh se ky ishte aksidenti më i rëndë që kishte parë prej shumë kohësh.
“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë.
Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus.”- tha ai.
Ndërkohë, në total janë 15 persona të tjerë që kanë shpëtuar pa lëndime dhe sipas Euroneës Albania, një autobus tjetër është nisur drejt Kroacisë për të marrë pasagjerët që kanë shpëtuar nga tragjedia e mëngjesit të sotëm.
Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëlime vëllazërore familjeve të viktimave
— Edi Rama (@ediramaal) July 25, 2021
/Euronews Albania