Në fakt, ai nuk donte të shkonte fare, as nuk donte të shihte rrënojat e Titanikut. Por me sa duket nga dashuria për të atin, Suleman Dawood, 19 vjeç u ngjit në nëndetësen e vogël që supozohej t’i çonte të dy në fund të Atlantikut. Kështu tha halla e tij në një intervistë për transmetuesin amerikan “NBC News”.
Suleman i tha asaj se ishte “i frikësuar” dhe “nuk ishte në humor” për udhëtimin për në Titanik. Por ai donte ta bënte të lumtur babanë e tij , multimilionerin pakistanez Shahzada Dawood 48 vjeç, për ditën e babait (dita kur ndodhi tragjedia).
“Po mendoj për Sulemanin, i cili ishte 19 vjeç dhe ndoshta ndihej i frikësuar” vazhdoi halla e shkatërruar Azmeh Dawood, duke shtuar: “E kam të vështirë të marr frymë kur mendoj për ngjarjen. Ishte ndryshe nga çdo përvojë që kam pasur ndonjëherë”.
Vëllai i saj Shahzada ishte “absolutisht i fiksuar” pas Titanikut që në moshë të re, tha ajo. Si fëmijë, ata vazhdimisht shikonin filmin dhe kur u rritën ai shpesh vizitonte ekspozita me objekte nga mbytja e Titanikut. Kjo është arsyeja pse ajo nuk u habit që vëllai i saj bleu bileta për turin e nëndetëseve.
Roja Bregdetare e SHBA-së, John Mauge tha në një konferencë për mediat se ekipet e kërkimit zbuluan “pesë pjesë të ndryshme të mëdha mbeturinash” të identifikuara nga zhytësja Titan, por trupat e viktimave mund të mos gjenden kurrë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të kërkojmë zonën atje poshtë, por nuk kam një përgjigje për perspektivat për momentin”, shtoi ai.
Regjisori hollivudian, James Cameron – i cili drejtoi filmin e vitit 1997, Titanik – ka thënë se e ka përjetuar shumë humbjen e nëndetëses Titan. Ai vetë është zhytur 33 herë deri në rrënojat e Titanikut.
Në një intervistë për transmetuesin britanik BBC, Cameron tha se disa persona brenda komunitetit të zhytësve i kishin shkruar një letër OceanGate duke thënë se besonin, sipas fjalëve të Cameronit, se kompania “po shkonte drejt katastrofës”.
Cameron tha gjithashtu se kishte një “ironi të tmerrshme” në humbjen e Titanit dhe ekuipazhit të tij, duke e krahasuar atë me humbjen e vetë Titanikut në vitin 1912.
“Tani kemi një tjetër rrënim që bazohet për fat të keq në të njëjtat parime të mosdëgjimit të paralajmërimeve”, tha ai. “OceanGate ishte paralajmëruar”.