Vrasja makabre e një 8-vjeçari nga fqinji i tij Klodian Çalamani në Fier ka tronditur vendin., që prej pasdites së djeshme.
Ndaj, sot, Kryeministri Edi Rama ka dalë në orën 08:30 të mëngjesit në një konferencë për mediat, nga aeroporti i Rinasit, ku foli në lidhje me ngjarjen.
Për Ramën, autori i këtij krimi tronditës, meriton që të marrin dënimin maksimal, megjithëse kjo nuk ngushëllon dhimbjen e familjarëve të viktimës.
Kreu i qeverisë është shprehur se kjo ngjarje e ka lënë pa fjalë dhe i ka lënë një shije të tmerrshme, ndërsa me tej ka shtuar se do të ketë një ndërhyrje në legjislacion për dënimin e personave që janë përsëritës të një krimi.
“Ajo çka nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbje në mendjen e zemrën e nënës, babait, familjes, por sidoqoftë pritet me padurim, është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes nga policia gjendet sot prapa hekurave”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për dënimet ekstreme që mund të jepen për këto raste. Ai tha se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje, sepse historia ka treguar se këto dënime nuk sjellin rezultate, pasi persona me të tillë qasje sipas Ramës ndodhen në çdo shoqëri.
Ai tha se legjislacioni parashikon masa ekstreme për këto raste, por gjyqtarët sipas tij, duhet të jenë në lartësinë e duhur.
“Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as formulë apo shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e dimë ndodhin në të gjitha shoqëritë. Ndërkohë që sa i përket pjesës tjetër, në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrjeve në vite në legjislacion, ka të shkruar legjislacionin më të ashpër, ose nga më të ashprit”, tha kryeministri.