Sezoni i ri televiziv do të rikthejë një prej programeve më të dashura të publikut, “Dancing With the Stars”, këtë herë në ekranin e Top Channel.
Si pjesë e emisioneve të suksesshme që Top Media po realizon së fundmi, produksioni i spektaklit të kërcimit i është besuar motrave Hoxha, Sarës dhe Lorit, që herë pas herë ndajnë ndonjë pjesë të vogël nga detajet e programit.
Nga ana tjetër, me kuriozitetin e publikit që është i madh në prag të nisjes së programit, janë konfirmuar deri më tani se Bora Zemani do të jetë moderatore kryesore (me disa dyshime që shoqëruesi i saj mund të jetë Donald Veshaj) dhe Kledi Kadiu do të luajë rolin e kryetarit të jurisë.
Sa i përket konkurentëve, që priten të jenë emra të njohur të fushës së artit e jo vetëm, ka pasur disa thashetheme por vetëm sot është zbuluar zyrtarisht anëtari i parë i kastit të spektaklit. Bëhet fjalë për artistin vizual dhe vokalistin e “Asgjë sikur Dielli”, Alban Nimani. Këtë e ka konfirmuar faqja zyrtare e “DWS Albania”, duke thënë se këngëtari do të tregojë se sa shkëlqen ylli i tij në kërcim. Sepse Dielli, Ylli, e kuptoni besoj…
Duket se tani akoma e më shoesh do të zbulohen artistët pjesëmarrës e ne mezi presim t’i shohim, ndërsa vetë Albani së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes për ca arsye që nuk kanë shumë lidhje me muzikën, por kanë me artin e tij.