Videoja virale: Hajdutët italianë i kthejnë orën turistit pasi kuptuan se nuk ishte origjinale

Një turist përjetoi një përvojë të pazakontë në Napoli kur hajdutët i grabitën orën duke i drejtuar armën – dhe më pas ia kthyen kur kuptuan se ishte false.

Dy turistëve zviceranë të ulur për të pirë pak para mesnatës të së dielës në Piazza Trieste e Trento, një nga sheshet kryesore të qytetit, iu afrua një i ri, i cili nxori një armë dhe e mbajti në kokën e njërit prej burrave, para se të merrte orën dhe të largohej.

Shtatë minuta më vonë, një tjetër i ri kaloi nëpër karriget e jashtme të kafenesë, duke ngritur duart në shenjë falje, i kërkoi falje dhe më pas ia dorëzoi orën pronarit. Arsyeja? Ishte një orë false dhe jo një orë Richard Mille orgjinale.

Pronari i lokalit tha se kishte më shumë gjasa të ishte një përpjekje për të shmangur hakmarrjet ligjore. “Ata e sollën atë duke thënë ‘Na falni, na falni’, ndoshta si një përpjekje për ta detyruar turistin që të mos e raportonte,” tha pronari i kafenesë, Antonio Visconti për CNN.

Napoli përballet prej kohësh me reputacionin e tij dhe ndërkohë që turizmi po lulëzon, një mori vjedhjesh këtë verë ka bërë që një shef i turizmit të sugjerojë që hotelet të japin ora plastike për vizitorët që t’i përdorin. “Nuk ka të bëjë vetëm me biznesin tonë, por është një publicitet i keq për Napolin”, tha Visconti për CNN.

Turisti, tha Visconti, nuk dukej i frikësuar nga incidenti. Jo vetëm që qëndroi për të pirë, por, tha pronari, “Ai tha: “Çfarë aventure e madhe”.