Kur Era Istrefi perfirmoi në finalen e madhe të kampionatit botëror të futbollit në vitin 2018, performanca e saj u shoqërua më pas edhe me disa polemika, për të cilat këngëtarja foli në “Më lër të flas” në Top Channel.
Era, një këngëtare nga Kosova, këndoi këngën zyrtare të #worldcup2018 “Live it up” me Will Smith the Nicky Jam, në Rusi – një shtet që nuk e njeh Kosovën.
“Puna ime është të dal në skenë dhe të këndoj, pa marrë parasysh nëse është e madhe audienca apo e vogël. Prandaj, ndjenja nuk është se ka qenë shumëëë speciale, nuk ka rëndësi nëse ka shumë njerëz apo më pak. Por, çfarë më ka ndezur ndjenjat ka qenë mbështetja e shqiptarëve, krenaria e tyre, mënyra si emocionoheshin ata për mua. Prandaj në një moment e bëra shqiponjën [me duar] sepse e ndjeva. Ishte moment i bukur shumë, por më thanë që ta hiqja nga Instagrami.” – tregoi Era për binjakët Veshaj.
Këngëtarja shtoi se organizatorët i thanë se “ishte lëvizje politike”.
“Më thënë të drejtën, u lëndova pafund sepse u ndjeva e diskriminuar. Qava dhe thashë: ‘Pse, bre? Pse nuk mund të ndihem krenare prej nga jam? Çfarë ka gabim?’.”
Era shtoi se emocionet që kishte përjetuar vlenin më shumë se një foto, ndaj e fshiu (ndonëse e riktheu në Instagram një vit më vonë).