Kur lindi Pratik Vitthal Mohite, duart dhe këmbët e tij ishin tepër të vogla, dhe mjekët u thanë prindërve të tij se ai nuk do të ishte kurrë në gjendje të ecë apo edhe të lëvizë vetë, dhe do të ketë nevojë për ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme në jetë.
Tani një i rritur, Pratik sapo ka marrë titullin “bodybuilder-i më i shkurtër në botë” dhe ka fituar një vend në Librin e Rekordeve Guinness, me gjatësi 1.016 metra.
Mohite, i cili jeton në Maharashtra në Indi, fillimisht u interesua për fitnesin kur ishte adoleshent pasi pa xhaxhain e tij të stërvitej dhe filloi të shkonte në palestër. Aty u përball me tallje dhe të qeshura, por së shpejti filloi një rutinë të rreptë të përbërë nga vrapime 30-minutëshe çdo mëngjes dhe stërvitje 2-orëshe në palestër çdo mbrëmje.
“Kur fillova të stërvitem, shumë miq dhe banorë të fshatit më kundërshtuan dhe më thanë ‘s’do jesh në gjendje t’ia dalësh’, por unë i dhashë vetes një sfidë. Vazhdova të stërvitem dhe të motivoj veten që një ditë të merrja rekord botëror në bodybuilding”.
Që atëherë, Mohite ka vazhduar të marrë pjesë në më shumë se 40 gara të bodybuilding, në rreth, shtet dhe nivel kombëtar. Kur merr pjesë në gara, ai thotë se bodybuilderët e tjerë shpesh “tronditen” kur e shohin, por ai nuk shqetësohet. Ai shpreson të inkurajojë dhe frymëzojë njerëzit e tjerë që janë të shkurtër dhe janë përballur me vështirësi të ngjashme.
“Fakti që gjatësia jonë është e shkurtër, s’do të thotë se ëndrrat tona nuk duhet të jenë të mëdha. Nuk ka asgjë ‘të pamundur’ në botë. Nëse punojmë me shumë përkushtim, mund ta ndryshojmë ‘të pamundurën’ në ‘të mundur’.”, thotë 23-vjeçari