Në kuadër të provës javore, banorët e “Big Brother VIP” improvizuan në shtëpi disa nga programet e Top Channel. Mëngjesin e sotëm ata improvizuan “Wake Up”, ku i ftuar ishte Arbër Hajdari, opinionisti.
Einxhel dhe Donald zëvendësuan për pak minuta Orin dhe Islin si prezantues.
Mes të qeshurash e humorit, ata intervistuan opinionistin, për të cilin nuk i kursyen as pyetjet ngacmuese.
Fillimisht Donaldi e pyeti për Fondacionin “Fundjavë Ndryshe” ku Arbri është Drejtor Ekzekutiv, për fillimet e tij, vështirësitë, etj. Ai tregoi se sigurisht që ka patur vështirësi, pasi kur e ka nisur vite më parë, kjo ishte diçka krejtësisht e re, ndërsa sot është e mirëorganizuar, me një strukturë të qartë.
Ndërsa sa i përket eksperiencës në “Big Brother”, Arbri tha se kudo ku shkon e pyesin vetëm për këtë.
“Nuk ka shqiptar që nuk e ka një mendim të vetin për çdo situatë aty brenda, pavarësisht moshës”, tha ai.
I pyetur nga Einxhel nëse është penduar për ndonjë opinion, Arbri tha se edhe ndodh, në mungesë të informacionit për histori nga jashtë.
“Po, në mungesë të informacionit, mund të kem dhënë ndonjë opinion që mund të ketë qenë i nxituar”, tha ai.
Gjithashtu, i pyetur për pagesën, Arbri tregoi se nuk është ulur në atë karrige për para, por për qejf.
Nuk munguan as batutat e humori, madje Donaldi i tha se çmimin mund ta ndajnë bashkë nëse jep opinione të mira për të.
Einxhel e Donald e ngacmuan edhe për jetën private, dhe opinionisti tregoi se është i fejuar, por po pret të mbarojë “Big Brotheri” për më shumë.