Supermodelja ruse Irina Shayk po akuzohet se ka mbështetur pushtimin brutal të Ukrainës nga Vladimir Putin në një postim në Instagram që shfaq simbolin “Z” që shihet në tanket dhe automjetet ushtarake ruse.
36-vjeçarja postoi një story në Instagram, ku tregonte një sallatë tradicionale ruse Olivier së bashku me frazën “Russianzz, të mërkurave”.
Por shkrimi i fjalës “ruse” me disa “z”, ka nxitur zemërim në internet.
“Irina Shayk – modelja me famë botërore nga Rusia, e cila kohët e fundit ka punuar për Beyonce, Jean Paul Gaultier, Burberry dhe të tjerë – postoi një story të çuditshme të fshehtë në Instagram me fjalën ‘Russianzz’”, shkroi në Twitter gazetarja nga Kievi, Maria Romanenko. “Unë me të vërtetë shpresoj që këto marka të rishqyrtojnë punën me të kur Rusia përdor Z për të vrarë ukrainasit.”
Të tjerë e akuzuan Shayk se nuk kishte “turp të mbështeste fashistët” me postimin misterioz.
Reagimi i fortë erdhi edhe pse modelja dhe aktorja postoi më parë “Jo luftës” në shkurt – dhe u zotua të dhurojë për zyrtarët e Kryqit të Kuq në Ukrainë.
Përgjigjja e egër nxjerr në pah vështirësitë dhe diskriminimin me të cilin përballen emigrantët rusë në të gjithë SHBA-në në mes të luftës.
Në qytetin e New York-ut, shumë punonjës rus thuhet se kanë marrë kërcënime me vdekje dhe ngacmime në internet.
Sarah E. Mendelson, diplomate amerikane, thotë se “nuk mban mend një ndjenjë kaq të fortë anti-ruse prej vitesh”.
“Është një përgjigje emocionale, nuk është një përgjigje racionale,” tha ajo për ABC News. “Njerëzit duhet të marrin kohë për të kuptuar se çfarë po ndodh.”
Ndërkohë, modelja ka fshirë story-n dhe nuk ka komentuar rreth reagimeve.
Disa nga komentuesit shkruanin:
“Turp për ty!”, “Nëse je kaq krenare për një vend terrorist si Rusia, atëherë shko të jetosh atje”, “Unë nuk do prek më kurrë asnjë markë që do promovohet nga ti” etj.