Reality show “Big Brother Albania VIP” është kthyer në emisionin më të shikuar në të gjitha trevat shqiptare.
Risia e këtij viti, futja e banorëve VIP brenda shtëpisë më të ndjekur, i ka bërë akoma më kuriozë teleshikuesit të shohin përditshmërinë e personave që i kanë njohur prej kohësh nëpërmjet artit të tyre.
Madje, për këtë reality show, si asnjëherë më parë kanë qarkulluar edhe “teori konspirative” të shumta.
Moderatorja historike e “Big Brother”, Arbana Osmani, e cila edhe këtë vit është në drejtimin e këtij programi, i është përgjigjur pyetjeve të ndjekësve në Instagram.
Ajo i ka kërkuar atyre t’i tregojnë teoritë konspirative që kanë dëgjuar për “BB VIP”.
“Që dikush nga pjesëmarrësit ka marrë 30 mijë euro për t’u bërë çift fallco me një tjetër pjesëmarrës.”- shkruan dikush.
“Po, ashtu është.”- i është përgjigjur Arbana me humor, me në sfond Sara Hoxhën duke qeshur me të madhe.
“Që fituesin e ke zgjedhur pa e ditur ende kush do ishin konkurrentë.”- shkruan dikush tjetër.
“Po, po. Madje fituesi as nuk konkurron këtë vit. Thjesht do fitojë direkt.”- përgjigjet ajo.
“Që lekët në fund i merr ti dhe fituesit s’i jepni asgjë.”- është një tjetër përgjigje.
“Unë i kam marrë përpara.”- ia kthen Arbana.
“Që i jepni instruksione disa banorëve në dhomën e rrëfimit.”- është një supozim tjetër.
“Ëhë. Dhe ata binden. Dhe gjithë Shqipëria sheh një program jo të vërtetë. Dhe e ndjek, e komenton, e pëlqen, apasionohet, pikërisht se nuk është i vërtetë. Se po të ishte i vërtetë, nuk do e ndiqte. Por pikërisht se është fallco, e ndjek i madh dhe i vogël.”- ia kthen Arbana me ironi.
“Që Donaldit aq shumë i keni bërë presion, sa i keni humb 15 kg sigurtë.”
“Aman ma gjeni atë që i ka bërë presion, të vijë të më bëjë dhe mua, të humbas dhe unë ca kile.”- ia ka kthyer moderatorja.