Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku një 29-vjeçar i idetifikuar si Jurgen Duka ka mbetur i vrarë me armë zjarri.
I riu është përfshirë në një konflikt me armë zjarri me një person tjetër, brenda një marketi në rrugën Irfan Tomini, në kryeqytet. Ai u qëllua me armë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Konflikti mes të rinjve ka nisur për shkaqe të dobëta, pasi u zunë me fjalë teksa ndodheshin pranë pijeve alkoolike në një market. Të dy donin të blinin pije alkoolike, e pas debateve ‘kush je ti’ u nxor arma
29-vjeçari rezulton se është person me precedentë të mëparshme kriminale. Duka është arrestuar në vitin 2020 në kuadër të një operacioni anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë ku u prangosën edhe disa persona të tjerë dhe pritej të esktradohej në Itali.
Po ashtu, mbi të rëndon dhe vepra penale “Falsifikimi i monedhave” pasi në vitin 2016 Gjykata e Apelit Tiranë për këtë vepër e ka dënuar me 8 muaj burg; veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja” në vitin 2017, është dënuar me 4 muaj burg. Në vitin 2013 është proceduar për veprën penale “Mashtrimi” dhe në vitin 2014 është proceduar për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me krimin, një prej të cilëve është dhe miku i viktimës. Ende nuk dihet se kush është autori i ngjarjes ndërkohë që hetimet po vijojnë për kapjen e tij.