Ishte viti 2007 kur Arjan Korkaj, këngëtari i njohur që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njohu Xhesikën, një vajzë amerikane me origjinë greke.
Që atëherë kur nisi romanca, lidhja e tyre pati ulje e ngritje, por çfarë mund të thuhet me bindje, është se Xhesika ka qenë dashuria më e fortë e Arjanit, pasi flitet se shumë prej baladave të tij ia ka dedikuar asaj, duke e konsideruar “lidhja që s’u harrua kurrë”.
E që nga viti 2007 kur ajo shkoi në Athinë për Arjanin, pas shumë vitesh shkon Arjani në Amerikë, por jo për Xhesikën. Ai vendosi të niste një jetë të re në SHBA për një të ardhme më të mirë, dhe pas një shkëputjeje disavjeçare, ri takohet sërish me Xhesikën, e cila mes mikeshash e konsideronte këngëtarin shqiptar “fiksimi i vjetër”.
Por këtë herë romanca e gjatë e dashurisë me shumë ndarje e bashkime, është kthyer në një telenovelë të vërtetë plot emocione, dramë dhe skandal. Këngëtari nga Shqipëria ka hyrë në telashe këto ditë, për shkak të kësaj historie personale të pazakontë.
Burime të sigurta për ‘Story.al” kanë treguar se Arjani ka braktisur partneren shtatzënë, direkt pasi ajo i komunikoi se presin një fëmijë bashkë.
Arjani ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim me të, duke shfaqur mosbesim se është ai babai i fëmijës. Në fillim i ka kërkuar të bëjnë testin e ADN-së, por më pas ka vendosur ta braktisë vajzën pa asnjë shpjegim, duke e lënë komplet të shokuar. Por ajo s’ka qëndruar duarkryq, pasi ka filluar të zbatojë planin e saj për t’u hakmarrë.
Si fillim ajo po tenton t’i mbyllë biznesin e tij në Amerikë “Ak Trans LLC”, duke e futur vërtet në telashe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Xhesika është shprehur në rrethin e saj se “Arjani i shkatërroi jetën”, ndërkohë që përpiqet të kontaktojë me të gjithë njerëzit e tij, që t’i njoftojë për këtë pabesi.
Nga ana tjetër rrethi më i ngushtë i miqve të Arjanait, tregojnë:
“Arjani dhe Xhesika janë takuar pas shumë vitesh të ndarë, dhe pas këtij rikthimi ajo i ka komunikuar se ka ngelur shtatzënë. Por Arjani s’është i sigurt nëse është fëmija e tij, dhe ka të drejtën e tij të dyshojë”, deklaron në konfidencë një i afërm i tij.