Novak Djokovic fluturoi në aeroportin e Melburnit, Victoria, Australi të mërkurën mbrëma për të marrë pjesë në Australian Open, turne që nis më 17 janar. Por numri 1 i tenisit në botë po mbahet në një hotel-karantinë dhe rrezikon të deportohet pasi iu anulua viza.
Çfarë ndodhi në aeroportin e Melburnit?
Djokovic mbërriti në aeroportin Tullamarine në Melburn në orën 23:30 të mërkurën, pas një fluturimi 15-orësh nga Dubai. Ai u mbajt i vëzhguar nga roje të armatosur për disa orë dhe më pas Forca Kufitare Australiane njoftoi se viza e tij ishte anuluar sepse ylli i tenisit nuk kishte siguruar provat e duhura për të mbështetur mungesën e vaksinimit kundër Covid.
Djokovic, i cili ka refuzuar të zbulojë statusin e tij të vaksinimit, tha të martën se ai kishte siguruar një përjashtim mjekësor.
Çfarë është një përjashtim mjekësor?
Në dhjetor, Tennis Australia (shoqatë që organizon turne kombëtarë dhe ndërkombëtarë duke përfshirë Australian Open, Australian Open Series, Davic Cup etj) publikoi udhëzimet e vaksinimit të Covid-19 ku përfshihej një proces për lojtarët që kërkonin përjashtime mjekësore për të hyrë në Victoria pa pasur nevojë të qëndronin në karantinë për 14 ditë.
Kriteret e renditura si arsye të pranueshme për një përjashtim mjekësor variojnë nga gjendjet e rënda mjekësore deri te çdo ngjarje serioze negative që i atribuohet një doze të mëparshme të vaksinës. Për ata që së fundmi kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe janë shëruar, mund të mos e bëjnë vaksinën për gjashtë muaj.
Arsyeja e Djokovic për mungesën e vaksinës është e paqartë. I gjithë informacioni mjekësor është konfidencial. Djokovic më parë ka konfirmuar se ai rezultoi pozitiv me Covid në maj 2020.
Pra, ku qëndron problemi me vizën?
Qeveria ka udhëzuar Tennis Australia që infektimi i mëparshëm me Covid nuk është arsye për të mos u karantinuar nëse hyn në Australi.
Edhe pse Djokovic kishte një përjashtim mjekësor, aplikimi për vizë u bë çështje e qeverisë federale. Kjo do të thotë se i takon ministres së punëve të brendshme, Karen Andrews, ose kryeministrit, Scott Morrison. “Nuk duhet të ketë rregulla të veçanta për Novak Djokovic,” ka thënë Morrison.
Çfarë ka thënë Djokovic për vaksinimin?
Në prill 2020, ai tha se është kundër vaksinimit. “Personalisht jam kundër vaksinimit dhe nuk do të doja të detyrohesha nga dikush që të bëj një vaksinë në mënyrë që të mund të udhëtoj,” tha ai. “Por nëse bëhet e detyrueshme, çfarë do të ndodhë? Do të më duhet të marr një vendim. Unë kam mendimet e mia për këtë çështje dhe nëse këto mendime do të ndryshojnë në një moment, nuk e di.”
Çfarë po ndodh tani?
Novak Djokovic është zhvendosur nga një dhomë në aeroport në një hotel në Melburn të drejtuar nga departamenti i imigracionit. Ylli i tenisit ka udhëzuar avokatët e tij që të apelojnë kundër anulimit të vizës.
Si ka qenë reagimi publik dhe politik?
Në Australi, ka një rritje të tensionit dhe shumë njerëz janë të mendimit se qeveria i trajton ndryshe njerëzit e fuqishëm ose të famshëm. Thënë kjo, duke para edhe qasjen e publikut, qeveria mund të ketë shfrytëzuar rastin për të folur ashpër.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, tha se kishte folur me yllin e vendit. “I thashë Novak-ut tonë se e gjithë Serbia është me të dhe se trupat tanë po bëjnë gjithçka që ngacmimi i tenistit më të mirë në botë të marrë fund menjëherë.”
Reagimet në rrjetet ngrenë pikëpyetje në lidhje me arsyet e përjashtimit të Djokovic.
Burimet: Guardian Australia, Euronews