Bella Hadid ka dhënë një intervistë për “Vogue”, ku iu është përgjigjur për herë të parë akuzave për operacione plastike. Supermodelja ka treguar se ka bërë hundën në moshën 14-vjeçare, por tashmë është penduar.
“Do të doja të kisha mbajtur hundën që kisha. Mendoj se do isha mësuar me të”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se nuk ka asnjë ndërhyrje tjetër në fytyrë.
“Njerëzit mendojnë se unë kam bërë shumë ndërhyrje për shkak të një fotografie që është publikuar nga adoleshenca ime ku dukem më e mbushur se tani. Jam shumë e sigurt që nuk dukesh njësoj tani si në moshën 13-vjeçare, apo jo? Unë kurrë nuk kam përdorur filler. Le t’i japim fund kësaj. Nuk kam asnjë problem me këtë gjë, por nuk kam bërë. Kushdo që mendon se kam tërhequr sytë ose fytyrën duhet ta dijë se është thjesht një tërheqës plastik! Truku më i vjetër”, është shprehur Bella.
Mes të tjerash, ajo është ndalur dhe te krahasimet që i bëjnë me motrën e saj të madhe, Gigi Hadid.
“Unë isha motra më e shëmtuar. Unë isha brune. Nuk isha aq e lezetshme sa Gigi, jo aq e shoqërueshme. Kjo është me të vërtetë ajo që njerëzit thonin për mua. Dhe për fat të keq, kur të thonë gjëra kaq shumë herë, thjesht e beson. Unë gjithmonë pyes veten, si mundi një vajzë me pasiguri të jashtëzakonshme, ankth, depresion, probleme me imazhin e trupit, probleme me të ngrënit, që urren të preket, që ka ankth të madh social, të futej në botën e modës? Me kalimin e viteve u bëra një aktore e mirë. Gjithmonë kam ndjerë se kam diçka për të provuar. Njerëzit mund të thonë gjithçka për pamjen time, për mënyrën se si flas, si veproj, por në shtatë vjet nuk kam ndenjur kurrë pa punë, nuk kam anuluar një punë, nuk jam vonuar në një punë”, ka thënë modelja.