Ervin Selita i njohur si Vinz i Hellbanianz është vënë në pranga pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri një pronar hoteli në Tiranë.
Hellbanianz është grupi muzikor që e ka zhvilluar aktivitetin mes Londrës dhe Tiranës.
Anëtarët e kësaj bande kanë qenë shumë herë në fokus të investigimeve të mediave angleze për këngët e tyre të dhunshme dhe jetën e shtrenjtë, mes makinave luksoze e me dyshimet se të ardhurat e kanë fituar nga aktivitete kriminale.
Mësohet se Vinzi ka qenë një natë më parë në një hotel në rrugën “Tre vëllezërit Kondi” në Tiranë me të dashurën, E.D., 30 vjeçe e dy persona të tjerë të identifikuar si Xhuljano Selita, 23 vjeç dhe Erjon Mici 26 vjeç.
Problemi ka nisur që nga recepsioni i hotelit pasi punonjësja që ndodhej aty ka kërkuar kartën e identitetit të Selitës dhe të të dashurës së tij.
Këmbëngulja e reperit që të fuste të dashurën në hotel pa dhënë ID-në vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat dhe recepsionistja ka njoftuar pronarin, Zeni Xhindi.
Sherri mes biznesmenit e reperit ka agravuar dhe ky i fundit ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka tentuar që ta vrasë Xhindin.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Parandalimi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.
Vihet në pranga një 30-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli. Në pranga edhe një 30-vjeçare, për moskallëzim krimi, e cila shoqëronte 30-vjeçarin në momentin e konfliktit.
Gjithashtu, në kërkim për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave, edhe dy shokët e 30-vjecarit, të cilët i erdhën në ndihmë atij, gjatë konfliktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në ambientet e një hoteli, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parandalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E.S., 30 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”; E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Shtetasi E. S., gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme