Duke nisur nga e diela e parë e muajit të ardhshëm (3 prill), në të gjithë vendin do të nisë fushata “Dita pa makina”.
Në një postim në rrjete sociale, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi vendimin e ri.
“Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë. Fillojmë menjëherë në koordinimin me bashkitë këtë plan kombëtar për kursim, për mjedisin dhe për shëndetin e të gjithëve.” – u shpreh Kumbaro.
Në një postim tjetër, Kumbaro shtoi se “me ditën pa makina, në çdo qark të Shqipërisë jo vetëm kursejmë karburant dhe i japim frymëmarrje mjedisit, por krijojmë edhe hapësira e aktivitete dedikuar fëmijëve sepse qyteti u takon atyre.”