Në librin “Spare”, autobiografia e Princ Harry-t që do të dalë në shitje më 10 janar, Duka i Sussex bën disa zbulime që janë publikuar në media të ndryshme dhe që disa kanë shkaktuar habi dhe të tjerë bezdi, pasi zbulon sekrete të familjes mbretërore britanike. Një prej tyre janë fjalët e fundit që Harry i pëshpëriti gjyshes kur erdhi për ta parë disa orë pasi ajo ndërroi jetë shtatorin e kaluar.
Harry ka rrëfyer atë që përjetoi në shtator pas vdekjes së gjyshes së tij, duke zbuluar se i pëshpëriti asaj se “shpresonte që ajo të ishte e lumtur” dhe të ishte me gjyshin e tij, Princin Philip, i cili vdiq një vit më parë në moshën 99-vjeçare. Ai shton se i tha asaj se “e admironte për përmbushjen e detyrave të saj deri në fund”, duke ju referuar pjesëmarrjes së saj në festimet e Jubileut Platinum të Mbretëreshës verën e kaluar.
Në një pasazh të librit, Duka i Sussex-it tregon se pas kësaj, ai doli nga dhoma e Mbretëreshës në Balmoral në Skoci dhe telefonoi gruan e tij Meghan Markle për ta njoftuar se ai kishte mbërritur shëndoshë e mirë.
Ai gjithashtu thotë se e mësoi vdekjen e gjyshes së tij nga lajmet, pasi askush nga Buckingham Palace nuk i telefonoi për t’i treguar. Harry dhe Meghan kishin qenë në Gjermani për të promovuar Lojërat Invictus kur dëgjoi se shëndeti i saj po rëndohej dhe nxitoi për ta parë. Harry ishte i pranishëm në 10 ditë zie për Mbretëreshën, i shoqëruar nga gruaja e tij.