Një nga programet më të ndjekur në Britaninë e Madhe, një formulë me sukses ndërkombëtar do të realizohet në Shqipëri nga Tv Klan. Bëhet fjalë për “Love Island”.
Në një intervistë për Señal News, drejtori menaxhues i “Love Island” në ITV Studios, Arjan Pomper, u shpreh:
“Shtrirja në 25 territore është një moment historik fantastik. Ky show i pëlqyer globalisht po thyen rekorde kudo dhe ne jemi vërtet të emocionuar që audienca në Shqipëri dhe Maltë do të shijojë sezonet e para lokale të ‘Love Island’ shumë shpejt!”
Ai zbuloi se Tv Klan ka blerë patentën për dy sezone dhe programi do të drejtohet nga Luana Vjollca. Sezoni i parë është planifikuar të transmetohet në pranverë të këtij viti.
Burime për Anabel bëjnë me dije se konkurrentët do të qëndrojnë në një nga vilat më të mëdha në rezortin Green Coast në Palasë.
“Love Island” (Ishulli i dashurisë) është një program i suksesshëm dhe me tepër ndikim në Britani. Ai përfshin një grup konkurrentësh, të referuar si ishullorë, që jetojnë të izoluar nga bota e jashme në një vilë, të mbikëqyrur nga kamera.
Për të mbijetuar në vilë, banorët duhet të shoqërohen me një tjetër banor të vilës, qoftë për dashuri, miqësi apo para. Çifti fitues i përgjithshëm merr një total prej £50,000.
Çdo banor që mbetet single, eleminohet. Konkurrentët mund të eleminohen edhe përmes votimit të publikut. Ata përballen me lojëra dhe sfida, të krijuara për të testuar aftësitë fizike dhe mendore. Në fund të sezonit, publiku voton për të përcaktuar çiftin fitues.
“Love Island” u bë emisioni më i ndjekur i ITV në historinë e rrjetit në vitin 2018, ndërsa që prej vitit 2020 ka qenë emisioni televiziv më i ndjekur nga audienca 16-34 vjeç.