Nëse e njihni Andrew Tate do të thotë dy gjëra: E para kaloni më shumë kohë se sa duhet në Instagram dhe TikTok dhe e dyta jeni të familjarizuar me teoritë e tij “anti-feministe” dhe jo vetëm, që në fakt janë tepër të famshme në rrjetet sociale.
Edhe pse ish-kampioni i kickbox-it është pezulluar nga rrjetet si Youtube, Instagram apo Tiktok, ai ka një “dritare komunikimi” në Twiiter (falë Elon Musk) dhe atë së fundmi vendosi që ta përdorë kundër Greta Thunberg.
Edhe këtë të fundit me siguri e njihni, por nëse memoria po ju lë në baltë, është vajza suedeze, 19-vjecare që adoleshencën e saj nuk e ka kaluar si moshatarët në shkollë, por duke udhëtuar botën e duke takuar liderat globalë, në përpjekjen e saj për ta bërë planetin të ndërgjegjshëm për ngrohjen globale dhe emergjencën e ndryshimeve klimatike.
Kështu, milioneri i njohur, po ashtu i famshëm edhe për pjesëmarrjen në “Big Brother”, u përpoq të vinte në lojë Thunberg për punën e saj në aktivizmin mjedisor, duke postuar një foto me super makinën e tij Bugatti dhe duke ju drejtuar asaj me statusin:
“Përshëndetje Greta Thunberg. Kam 33 makina. Bugatti im ka një w16 8.0L quad-turbo. Dy makinat e mia Ferrari 812 kanë 6.5L v12. Ky është vetëm fillimi. Ju lutemi më dërgoni adresën tuaj të postës elektronike në mënyrë që të mund të dërgoj një listë të plotë të koleksionit të makinave të mija emetimeve të tyre gjigande që nxjerrin në ajër”
E ndoshta për një moment Tate mund të jetë ndjerë krenar për “talljen” e tij, megjithatë ka qenë përgjigja e Greta-s që është kthyer në virale, pasi shkruajti:
“Po, ju lutem më thoni më shumë duke dërguar një email në adresën: smalldickenergy@getalife.com”, – duke bërë një referencë për organin e tij gjenital dhe faktin që “duhet të bëjë ndonjë gjë tjetër me jetën”, para mbi 4 milionë ndjekësve të saj.