E ftuar në “Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Albërije Hadërgjonaj ka treguar më shumë rreth gjendjes së mbesës së saj, Beatrix Ramosaj.
Gjatë rrëfimit, Albërija ka rrëfyer se komentet negative në rrjetet sociale, e kanë bërë Beatrixin të kalojë momente të vështira.
Nisur nga rasti i mbesës së saj, këngëtarja ka bërë thirrje që njerëzit të jenë më shumë pozitivë pasi në fund të fundit, kur shpërthejnë në komente negative në internet, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse u prishin ditën dikujt.
“E vërteta e gjithë kësaj situate të pakëndshme është sepse njerëzit asnjëherë nuk ulen të mendojnë një situatë të dikujt tjetër. Një vajzë si Beatrix është shumë e brishtë, disa vajza dhe djem i përjetojnë pak më ndryshe situatat. Trixa është një vajzë shumë e çiltër, e keni parë të gjithë, është një vajzë e padjallëzuar dhe e përjetoi shumë, sepse përveçse na bombarduan të gjithëve, u bullizuam të gjithë. Mua bëjnë mirë që më bullizojnë, sepse më pëlqen shumë kur e bëjnë këtë. Unë e di kush jam, e di edhe sa vlej. Komentet për mua janë krejt të pavlera.
Në rastin e Beatrixit, unë nuk e kam kuptuar se ishte një gjë që nuk ishte asgjë, thjesht vërshimet e atyre njerëzve me ato komente negtive e kanë bërë të kalojë momente të vështira. Bullizimi online është më i dëmshëm se ai përballë, është shumë herë më i rëndë. Beatrix është shumë e butë dhe shumë delikate në çdo vendim, por një super talent, një vajzë bukuroshe dhe për këtë duhet vlerësuar dhe jo t’ia humbasësh të gjitha vlerat tjetrit”.
Duke u ndarë një mesazh të gjithëve, Albërija tha:
“Unë dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që fshihen pas një telefoni, se duhet të mendoni një gjë: Nëse ajo vajzë ka një vëlla, një motër, ai djalë ka një motër apo vëlla, duhet të kuptojnë se ka njerëz që janë të ndjeshëm dhe mund t’i çosh deri në fazën e depresionit, ose në një fazë të pakëndshme. Unë uroj që njerëzit të kuptojnë se bota e artit nuk është aq reale sa jeta e përditshme dhe do të doja shumë të gjithë njerëzit të jenë pozitivë, sepse në fund nuk bëjnë asgjë, përveç se i prishin ditën dikujt”.
Burimi: /Revista Class