Një hajdut i maskuar ka hyrë në rezidencën e familjes Beckham në Londrën Perëndimore ku ka vjedhur sende me vlerë mijëra paund.
Hajduti ishte futur nga një dhomë gjumi në katin e sipërm të rezidencës në Holland Park teksa David, Victoria dhe vajza e tyre 10 vjeçare Harper po qëndronin në katin e poshtëm të pavetëdijshëm se çfarë po ndodhte në rezidencën e tyre.
Plaçkitja e rezidencës nuk u zbulua deri mëngjesin e sotëm kur djali i tyre 17 vjeçar Cruz u kthye në shtëpi dhe pa dhomën e gjumit të përmbysur dhe vuri re që xhami ishte i thyer.
Një burim i afërt është shprehur për median britanike The Sun:
‘Mjerisht Beckhams ishin viktima të disa hajdutëve mjaft profesionistë që kanë vepruar në zonë. Fatmirësisht kriminelët arritën vetëm deri në një dhomë gjumi para se të iknin.
Familja thuhet se është ‘tronditur’ nga grabitja, por askush nuk u lëndua.
Hajduti u largua nga rezidenca e Beckhams me aksesorë, mallra elektrike dhe veshje të Victorias por nuk tentoi për më shumë.
Vjedhja vjen vetëm disa javë pasi Posh dhe Becks fituan lejen e planifikimit për të riparuar rezidencën e tyre në Holland Park, pjesë të së cilës ishin mbyllur pasi kishte filluar të shkërmoqeshin.
Çiftit iu dha leja nga Royal Borough i Kensington dhe Chelsea për të riparuar tarracën dhe shkallët e tyre historike të pasme, të cilat ishin bërë shumë të rrezikshme për t’u përdorur.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se familja nuk e përdor më tarracën e cila ka dëmtime strukturore për shkak të vjetërsisë, hyrjes së ujit, plasaritjes dhe gërryerjes për shkak të ngricave.