Nëse ti dhe partneri yt zgjidhni të ndaheni në paqe dhe me mirëkuptim do t’i shmangni vetes një angari të madhe: gjykatën! Nga lindi kjo?
Ky është diskutimi i fundit që ka përfshirë të gjithë avokatët e drejtësisë dhe noterët të cilët duke marrë shkas nga fluksi i dosjeve që presin në gjykata, propozojnë idenë e radhës. Ata që vendosin të divorcohen me mirëkupim, mund ta mbyllin njëherë e mirë procesin tek noteri.
Noterët kanë hartuar një draft ku propozojnë që divorcet kur ka dakordësi mes çiftit të mos përfundojnë në gjykatë, por të bëhen me akte të thjeshta noteriale. Sipas Top Channel, iniciativa është marrë nga drejtuesja e qendrës së trajnimit, noterja Elona Saliaj, e cila argumenton se për kjo nismë është nxitur nga numri i lartë i stokut të dosjeve në gjykata, por edhe ristrukturimi i sistemit të drejtësisë që po bëhet së fundmi në vendin tonë, me një hartë të re gjyqësore.
Vendimi i ri është frymëzim nga shembujt e vendeve të tjera si Greqi, Spanjë, Letoni, Rumani, etj ku procedurat për përfundimin e martesës mbarojnë në noteri.
“Nëse bashkëshortët kanë rënë dakord për zgjidhjen e martesës, duhet të bëhet një akt noterial dhe të depozitohet në gjendjen civile. Nëse ata bien dakord që fëmijët tu lihen për rritje dhe edukim njërit prind dhe detyrimi ushqimor prindit tjetër, atëherë të caktohet nga noteri një psikolog dhe pasi të merret raporti i përgatitur prej tij, t’i bashkëlidhet aktit përkatës. Natyrisht që në çdo kohë nëse prindi tjetër nuk është dakord me këtë mënyrë mund të kërkojë në gjykatë në çdo kohë heqjen e përgjegjësisë prindërore”.- thuhet në draft propozim.
Ky akt marrëveshje që firmoset tek noteri, dorëzohet më pas në gjykatë dhe ajo e miraton.
Në projekt marrëveshjen e noterizuar ish -partnerët detajojnë përgjegjësinë prindërore, takimet me fëmijët sipas një kalendari javor dhe vjetor, por edhe detyrime të tjera që i marrin përsipër me vullnet të lirë. Ky propozim përjashton të gjithë çiftet që kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe nuk arrijnë t’i zgjidhin mes tyre çështjet familjare.
Burimi: /Anabel