Edhe pse nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shtëpisë së “Big Brother VIP”, Elgit Doda ja ka dalë të jetë protagonist në dy edicionet e reality show-t, duke krijuar hite për banorët e programit.
Rasti i fundit ishte dje, me këngën “Me ty” të Luiz Ejllit, që jo vetëm ktheu këngëtarin në muzikë, por edhe ishte surpriza për Shën Valentin për Kiara Tition, që tashmë numëron më shumë se 2 milionë klikime për 24 orë.
I ftuar sot në emisionin “Pardon My French” nëpërmjet një lidhjeje telefonike, Elgiti i ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve që të gjithë ne si publik kemi në lidhje me këngën, fillimisht si lindi bashkëpunimi mes Elgitit dhe Luizit duke qenë se ky i fundit është në izolim, dhe si arriti të mbyllej në një kohë rekord.
“Nuk ishte gati ‘demo’-ja, nuk kam pasur asgjë gati dhe e gjitha është bërë për gjysmë ore si vijë melodike dhe më pas jam marrë me tekstin një gjysmë dite për ta mbaruar. E vendosëm që do të bënim një këngë njëherë bashkë me stafin e “BBV” dhe pastaj unë veprova me tekstin dhe me melodinë.”- tregoi Doda, ndërsa sa i takon tekstit zbuloi: “teksti është shkruar nga unë, por gjatë gjithë kohës që kam parë ‘Big’-un kam marrë disa fjalë kyçe që i ka thënë vetë Luizi si psh: “Merri sytë e mi, shikoje veten”.”
Por si ishte e mundur që “Me ty” u realizua për vetëm 30 minuta?
“Frymëzimi është ajo gjëja që ti shkon në studio me idenë që do krijosh një gjë. Unë kam diçka shumë të mirë, e marr direkt përgjegjësinë e dikujt tjetër për t’a kthyer në këngë dhe kjo është një dhunti.“- shpjegoi artisti, ndërsa po ashtu zbuloi se nëse e kishte takuar Luizin në dhomën e rrëfimit dhe gjithashtu tregoi problemin që kishte zëri i tij, i cili është komentuar po aq sa kënga:
“Unë kam shkuar tek dhoma e rrëfimit vetëm kur i kam marrë zërin. Çështja është që Luizi ndoshta nga cigarja e tepërt dhe abuzimi pak aty brenda ka pasur pak zërin e çjerrë dhe e gjithë gjëja është që mua mu desh që t’ia merrja këngën shumë shpejt. Ai ka bërë prova me veten e tij por pa më pasur mua aty dhe zëri ka qenë për t’u marrë shumë shpejt.”
Sa i takon suksesit tashmë të dukshëm të këngës Elgiti tha:
“E dija se çfarë do të ndodhte, nuk është një gjë që nuk parashikohet ajo gjëja. Sigurisht më vjen mirë, kur t’i mundohesh të bësh atë artin tënd dhe sigurisht që ta shfaqësh atë duke ia dhënë dikujt që ndoshta për momentin ka influencë dhe kjo është diçka shumë e bukur edhe për të ndryshuar rrjedhën e disa gjërave në muzikë.”