Lorena Gonzales, gazetarja e televizionit spanjoll ‘TVE’ është pushuar nga puna pas fyerjes racore që i ka bërë mesfushorit të Realit të Madridit, Eduardo Kamavinga.
Gjatë prezantimit të mesfushorit francez si lojtar i Realit, Kamavinga ishte veshur me kostum të zi. Në këtë moment, ndërsa mikrofonat në studio ishin të hapur, gazetarja dëgjohet të komentojë me kolegët: “Qenka më i zi se rrobat” duke iu referuar futbollostit të njohur.
Kaq u desh dhe reagimi ishte i menjëhershëm. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ajo ka kërkuar ndjesë për fyerjen, por kjo nuk e ka shpëtuar nga vendi i punës.
Në një intervistë për radio “Marca”, Lorena Gonzales tha se e ndien gabimin dhe për këtë ka kërkuar më shumë se një herë ndjesë:
“Kërkoj edhe një herë ndjesë për veprimin, por kurrsesi për sjellje raciste, sepse nuk jam e tillë”, tha ajo, por megjithatë reagimet nuk u ndalën.