Nëse je një person që i përket moshës nga 22 deri në 37 vjeç dhe ndihesh shpesh i/ e lodhur dhe pa frymëzim, ka disa arsye pse hasesh me këto problematika.
1. Shqetësimi mbi të ardhurat
Brezi ynë është përballur shpejt me nevojën për të punuar dhe me presionin e vazhdueshëm të shfrytëzimit dhe të gjitha këto na e “kanë regjur” lëkurën për të vetmen arsye: kemi nevojë për para.
Njohim të rinj që bëjnë dy ose edhe tre punë për të përmbushur nevojat dhe dëshirat e tyre. Sigurisht, nuk duhet të harrojmë se shqetësimet që lidhen me financat janë burimi kryesor i stresit, ndaj përballja në rini me këtë problem, na tkurr energjinë dhe shton lodhjen.
2. Teknologjia
E dimë që teknologjia tashmë e ka sunduar jetën tonë në shumë aspekte dhe normalisht, “gjurma” e saj është e pamohueshme. Të gjithë ne jemi të varur me një fill të padukshëm me ekranin e telefonit, duke kthyer përgjigje, dëgjuar këngë, luajtur lojëra online. E gjitha kjo ka një impakt të madh në përditshmërinë tonë. Nëse nuk ngopemi me gjumë, domosdoshmërisht, do të zgjohemi të lodhur dhe pa energji.
3. Dieta e varfër
Një i ri tipik e nis mëngjesin me një sanduiç në një furrë buke, apo kafene, pa llogaritur sa i rëndësishëm është ushqimi i mirë. E njëjta gjë edhe në drekë, ku shpesh i biem shkurt duke porositur nëpër restorante/ fast food-e të ndryshme. Kjo mund të duket si një zgjidhje e shpejtë, ama dëmton çdo ditë mendjen dhe trupin tonë. Nëse nuk e furnizojmë trupin me proteinat, vitaminat dhe ushqimet e duhura, do të përballemi gjithnjë e më shumë me stresin, lodhjen dhe mungesën e energjisë.
4. Mjedisi që na rrethon
Të ka ndodhur që je zgjuar me shumë energji, por diçka ose dikush ta ka prishur ditën? Kjo mund të të ndodhë çdo ditë në fakt, pasi ngecja në trafik, një koleg i pasjellshëm, një e-mail i padërguar, dikush që shfryn nervat tek ti, e shumë të tjera, janë faktorë të drejtpërdrejtë që të rrisin nivelin e stresit dhe pafuqisë për të reaguar.
Burimi: /Anabel