Nëse ka një temë për të cilën prodhohen këngë çdo ditë, ajo është dashuria.
Ndjesitë që vijnë me të: Lumturi, hidhërim, urrejtje, zhgënjim etj – Të gjitha kanë frymëzuar qindra e mijëra këngë dashurie, dashuri-urrejtjeje, marrëdhëniesh dhe ish-marrëdhëniesh.
Megjithatë, sot, le të përqendrohemi tek një “zhanrër” (jo i mirëfilltë) këngësh dashurie, “revenge breakup”, ose “hakmarrja e ndarjes”.
Në 2016-ën, kur Beyonce publikoi albumin “Lemonade”, limonata e këngëtares ishte më e përfolura e momentit. Arsyeja kryesore? Ishin pikërisht tekstet dedikuar tradhtisë së Jay Z.
“Ky është paralajmërimi i fundit. Nëse e bën përsëri, do të humbasësh gruan”, shprehej Beyonce në këngën “Don’t Hurt Yourself”, apo “Sot pendohem për ditën që vura unazën në gisht” në “Sorry”.
Si këngët e Beyonce-s në këtë album, ka shumë dhe thuajse të gjitha janë të suksesshme, të përfolura dhe të ndjera.
Përmendim “Better Than Revenge” të Taylor Swift, “Since You Been Gone” nga Kelly Clarkson e shumë të tjera.
Dje, 12 prill, Beatrix Ramosaj publikoi këngën “Më shumë se ti” (në bashkëpunim me DJ Geek) dhe shumë pjesë të tekstit duken si një thumb për ish-partnerin, Donald Veshaj. Për shembull, Beatriks thotë “S’kam menduar që je aq idiot”, ndërsa Donaldi thotë “Unë e di që jam idiot…” dhe vazhdimin e dini.
Rastësi? Nuk besojmë.
Sidoqoftë, kënga ka tashmë mbi 500 mijë klikime edhe pse nuk janë bërë ende 24 orë. Është ndër më të komentuarat në Instagram dhe nëse hyni në TikTok, një në tre video do t’ju shfaqet kënga e Beatriks shoqëruar me tekstin.
Pse ndodh kjo? Disa nga arsyet më të zakonshme janë:
– Dashuria është ndjenja më e fortë (e thonë disa psikologë, jo ne) dhe kur përzihet me ndjesi po aq të forta si urrejtja apo inati, mundësia për t’u frymëzuar dhe për ta lënë shpirtin në këngë, kthehet në një lloj çlirimi nga këto ndjesi shpesh mbytëse. Rezultati? Këngë të suksesshme!
– Shpesh, këngët janë të bazuara në historitë e vetë këngëtarëve. Dhe, kur këngëtarët njihen, marrëdhënia dhe historia e tyre njihet, kureshtja e njerëzve është shumë e madhe për të mos e dëgjuar të paktën një herë këngën.
– Së treti, ndjesia për pakëz hakmarrje ose thjesht për të treguar “që ti je mirë” dhe “nuk ia ke nevojën atij/asaj” na jep një sens sigurie në vete dhe na bën të ndihemi mirë. Kjo bën që këngët të dëgjohen edhe më shumë.
– Së fundmi, aty ku ka hakmarrje, dashuri, ndarje – ka drama. Dhe, le të jemi të sinqertë, disa prej nesh i duan dramat!
/Anabel.al