Problemet skane te mbaruar, nje tjeter prezantuese e njohur largohet nga “Top Channel”

‘Top Channel’ ka hyrë në një periudhë të trazuar, pas afro tre viteve relativisht të qeta kur lajmet për largime ishin më të pakta në numër.

U nis me largimin e Drejtorit Ben Blushi në dhjetor dhe po vazhdon tutje.

Javën e kaluar, me shumë zhurmë u zyrtarizua mbyllja e “Top Story” në formatin ekzistues.

Në një rast të paprecedent, hapësira e lajmeve qendrore të Top Channel u vu në dispozicion të akuzave për gjobvënie ndaj drejtuesit të deritanishëm të formatit investigativ, Endrit Habilaj.

Të premten, u konfirmua edhe largimi i Eni Vasilit dhe emisionit të saj qendror politik “Open”, pas kthimit të Sokol Ballës. Por, largimet e zëvendësimet nuk mbarojnë me kaq!

Në një situatë që duket me efekt domino, rrugët me televizionin i ka ndarë edhe një prej prezantueseve të reja premtuese, Sidorela Gjoni.

Gjoni që dikur punonte në DigitAlb, spikati shpejt si gazetare terreni në lidhjet direkte për artikulimin dhe aftësitë e saj gjurmuese të lajmit veçanërisht gjatë tërmetit dhe pandemisë.

Si e tillë, ajo u shndërrua në fytyrën kryesore të Top News duke drejtuar disa emisione, përfshirë programin e përditshëm maratonë “Breaking” nga prilli i vitit të kaluar. E një javë pa i bërë një vit, edhe Sidorela është larguar.

Prezantimi i saj i fundit i “Breaking” ka qenë të hënën e kaluar, teksa sot “Breaking” ka nisur me prezantuese të re, Elisa Gjeranin dhe termin të ri të reduktuar, nga ora 09:00 deri në 12:00.

Për faktin se një javë programi mbeti pa drejtim, largimi duket të ketë qenë i befasishëm dhe me gjasë, me tension.

Largimet e njëpasnjëshme nga ‘garda e re’ gjatë kohës së fuqizimit dhe zgjerimit të programacionit të Top Media kanë krijuar me të drejtë pyetjen: kush e ka radhën? 

https://www.instagram.com/p/Cb68kmFDkYo/