Bashkëshorti i një prej mësueseve që u vranë në sulmin me armë në Teksas ka humbur jetën si pasojë e një ataku në zemër.
Irma Garcia, 46 vjeçe, ishte një nga dy mësueset që mbetën të vrara pasi një adoleshent hapi zjarr të martën në Uvalde, Tekas. Të enjten, bashkëshorti, Joe nuk e përballoi dot më dhimbjen dhe ndërroi jetë.
Në një llogari GoFundMe që është krijuar për të ndihmuar familjen thuhet se ai “vdiq nga zemra e thyer”.
Nipi i çiftit shkroi në Twitter se ai kishte vdekur nga ‘pikëllimi’.
“Ju lutemi lutuni për familjen tonë. Zoti na mëshiroftë”, shkroi ai.
Dyshja ishin të martuar prej 24 vitesh dhe kishin katër fëmijë. Të mbijetuarit nga të shtënat kanë treguar se si Irma dhe kolegja e saj mësuese Eva Mireles, 44 vjeç, vdiqën duke mbrojtur nxënësit nga plumbat.
“Ajo ndërroi jetë me fëmijët në krahë duke u përpjekur t’i mbronte”, shkroi në Twitter një tjetër familjar.