Hendeku global i pasurisë u zgjerua gjatë pandemisë së Covid, duke rritur numrin e milionerëve në botë me 5.2 milionë
Shifrat, të detajuara në Raportin vjetor të Pasurisë Globale të Credit Suisse, përshkruajnë se si nga masat anti-Covid të qeverive shpesh përfituan ata që kishin më pak nevojë për mbështetjen e shtetit, duke ndihmuar pasuritë e tyre të rriten në vlerë pavarësisht nga rënia ekonomike.
Milionerët tani përbëjnë më shumë se 1% të popullsisë globale, për herë të parë në histori. Shifrat tregojnë se 56.1 milionë individë kishin pasuri me vlerë më shumë se $1 milion në vitin 2020.
Hendeku i pasurive u theksua, pasi ata që kishin fitime më të ulëta pësuan humbje të vendeve të punës dhe një rënie të të ardhurave për shkak të ngadalësimit ekonomik.
“Rritja e pabarazisë në pasuri nuk u shkaktua nga vetë pandemia, ose nga ndikimet e saj të drejtpërdrejta ekonomike, por në vend të kësaj ishte pasojë e veprimeve të ndërmarra për të zbutur ndikimin e pandemisë, kryesisht norma më të ulëta të interesit,” thanë autorët e raportit.
Ndikimi i pandemisë në pasurinë e familjes, veçanërisht për më të varfërit, ishte më i keq në vendet ku qeveritë dështuan të kompensojnë pagat e humbura.
Në total, pasuria globale u rrit me 7.4% në vitin 2020, me fitime kryesisht në SH.B.A., Europë dhe Kinë, ndërsa pasuria e përgjithshme në Amerikën Latine dhe Indi ra.