Aktori Florjan Binaj foli për largimin nga “Portokallia”, programin e ri “Piranjat” si edhe projektet e ardhshme në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit” në ABC News.
“Ikja nga Portokallia ka të bëjë me një mision, i cili do t'i shërbejë në të ardhmen artistëve shqiptarë, çështja e të drejtave të autorit që fatkeqësisht në Shqipëri, quhen si mall pa zot dhe zotër vetëshpallen ata që nuk janë,” tha ai në fund të marsit.
Në “ABC-ja e mëngjesit”, Binaj la të nënkuptuar se nuk ka marrë çfarë ka merituar nisur nga fakti se ka qenë shkrues dhe interpretues i roleve të tij. Kujtojmë se skeçet e tij renditen si ndër më të klikuarat në faqen e Top Channel në YouTube.
“Jo vetëm në Top Channel, por dhe në shumë televizione shqiptare të tjera, nuk respektohen të drejtat e autorit. Fati ka dashur që në ‘Portokalli’ kam qenë edhe krijues edhe interpretues i numrave të mi dhe shumë të tjerëve. Kështu që kam pasur një peshë goxha të madhe. Mirëpo ndoshta ndonjëherë nga padia, nga mosdashja e të ruajturit të këtyre gjërave ndodh që vjen një pikë dhe nuk duron më dhe mban një qëndrim. Të ruash dinjitetin tënd ose të përtypësh dhe të vazhdosh përpara. Këto janë gjëra që publiku nuk i di normalisht, sepse janë gjëra të brendhme.” – tha ai.
Binaj shtoi se nuk është respektuar ligji
“Ideja është që me ligjin shqiptar, minimumi duhet të dalë emri i atij që ka e shkruar, siç del edhe në festival – teksti [shkruar nga] filani, muzika [krijuar nga] filani, këndon filani. Kjo është më e vogla. Ligji është i rregullt. Të lexosh ligjin thua ‘jam i bekuar’, por puna është tek zbatimi. Këtu kanë rënë dakord për të mos e zbatuar, ky është problemi.”
Përpos kësaj, Flori tha se një ndër arsyet ka qenë koha pa familjen.
“Një nga arsyet e largimit ishte dhe familja sepse punon gjithë ditën mirëpo nuk arrin ta blesh atë kohë që ke humbur me fëmijët e tu. Ato kohë që ke humbur, janë kujtime. Më mirë këto kujtime bashkë sesa të kemi foto në Whatsapp.”
Në lidhje me programin “Piranjat” – një program që bashkon punën investiguese dhe situatat gazmore – ai tha se “për momentin ndihem shumë mirë dhe është një nga ato programe që më bën të ndihem mirë që jam pjesë. Kjo shoqëri ka nevojë të thuhet e vërteta dhe ka shumë kohë që nuk thuhet më. Ka nevojë që të shkundet mirë nga probleme të mëdha që mban mbi supe dhe ka vite që programet nuk e bëjnë më.”
Aktori i humorit po punon për një program të vetin, një program humori me të ftuar dhe jo vetëm.
“Gjithashtu [po punoj] edhe për një stand up dhe disa filma artistikë. Tani që nuk jam në ‘Portokalli’, shoh sa kohë më ka zënë ‘Portokallia' realisht. Shoh sa kohë kam humbur dhe sa mbrapa jam me shumë projekte.”