R.Kelly do të shkojë në burg për 30 vite nën akuzat e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të një të mituri, rrëmbim dhe krime të tjera të lidhura me marrëdhëniet seksuale.
Në shtatorin e vitit të shkuar, një juri e shpalli Kelly-n fajtor për të 9-ta akuzat që kishte kundër.
Këngëtari i njohur, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, në fakt u akuzua për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur në vitet 90, por për afër 30 vite i shpëtoi ndëshkimit.
Gjykatësja Ann.M.Donnelly e dha dënimin për artistin ditën e mërkurë, pasi gjykata dëgjoi dëshmitë nga viktimat e Kelly-t, por çuditërisht nuk dëgjoi dëshminë e vetë këngëtarit. Gjatë dhënies së dënimit, gjykatësja u shpreh se:
“Publiku duhet të mbrohet nga sjellje të tilla. Këto krime kanë qenë të llogaritura dhe të planifikuara me kujdes dhe janë kryer për gati 25 vite. Ti i ke mësuar atyre që dashuria është skallvëri dhe e dhunshme.”
Prokurorët kërkuan më shumë se 25 vite pas hekurave për Kelly-n, i cili rrezikonte edhe dënimin me burgim të përjetshëm. Ndërkohë avokatët e tij kërkuan për një dënim 10-vjeçar, minimumin e mundshëm, duke thënë se sjellja e këngëtarit është shkak i dhunës dhe abuzimit që ka përjetuar kur ka qenë fëmijë, ndërsa thanë se ai vetë e refuzonte që të quhej “përbindësh”.
Gjatë seancës gjyqësore artisti nuk tha asnjë fjalë, ndërsa i hodhi një shikim vetëm njërës prej dëshmitarëve që ju drejtua me fjalët:
“Ti përdore famën dhe pushtetin që kishe për të shfrytëzuar vajza dhe djem të rinj për kënaqsinë tënde seksuale. Lutem që Zoti të arrijë shpirtin tënd”.
Shumë prej atyre që dëshmuan gjatë seancës raportohet se kanë qenë të emocionuara dhe në lot. Gjyqi që zgjati gati 6 javë, pa 11 persona që dëshmuan kundër yllit të RNB, me 5 prej personave si vikima të drejpërdrejta të tij, ndërsa u fol edhe për rastin e këngëtares Aaliyah, yllit të muzikës që është ndarë nga jeta në vitin 2001 pas një aksidenti ajror, me të ciëln Kelly u martua kundra ligjit kur ajo ishte vetëm 15 vjeç.
Këngëtari ka qenë pas hekurave që prej vitit 2019, ndërsa pas dënimit që mori tani, përballet me të tjera akuza të rënda në disa shtete të tjera, të cilat mund të rëndojnë akoma më shumë dënimin. Që sot mund të themi që është pak por e sigurtë, që asnjëri nga ne, por edhe vetë Kelly “Can’t Believe He can Fly”.