Një ngjarje e rëndë është bërë publike mbrëmjen e së hënës në një emission investigativ, ku një i mitur u dhunua për tre vite rresht nga elektricisti i fshatit Funare në Librazhd, prej klasës së V-të deri në klasën e VIII-të që është sot.
Pas dhunimit ai u bullizua gjë që e çoi të ndërmerrte një akt të rëndë, atë të hedhjes nga kati i tretë i konviktit ku qëndronte. E gjithë historia u mbajt e fshehtë dhe asnjë institucion nuk mori asnjë masë.
Në emision u shfaqën video tronditëse të dhunës që ushtrohej ndaj të miturit, ku përveç elektriçistit dhunues, dikush tjetër xhironte skenën pa iu dridhur dora. Kjo ka qenë edhe arsyeja që i mituri ka braktisur shkollën dhe është bullizuar nga bashkëmoshatarët.
Vetë fëmija në prezencën e të ëmës tregoi se elektricisti Hysen Balliu e dhunonte, i zinte rrugën me motor dhe nuk e lejonte të shkonte në mësim. Ai shprehet se nuk është ankuar për atë person te familjarët pasi nuk ka dashur t’i shqetësojë.
Situata bëhet akoma më e rëndë kur e ëma e të miturit tregon se fëmijën për shkak të bullizimit dhe mos vajtjes në shkollë vendosi ta çonte në një shkollë në Librazhd dhe të qëndronte në një konvikt fetar, i cili ishte pa pagesë, por që aty u hodh nga kati i tretë i godinës.
Dhe nga ai moment fëmijën e risolli në fshat, ku e riregjistroi në shkollën që kishte qenë, por që nuk e frekuenton. E ëma mohon të ketë dijeni për dhunën e ushtruar ndaj djalit.
Emisioni investigativ në pak ditë mblodhi fakte tronditëse për të miturin, video në të cilat dhunohej barbarisht, dëshmi nga drejtuesi i konviktit ku pranon se i mituri u hodh nga kati i tretë, dhe kjo ngjarje u mbajt e fshehtë.
Ishdrejtuesi i shkollës tregon se e ka denoncuar rastin, por nuk është bërë asgjë. Dhe në fund askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi.
I mituri që i përket një familje me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike vendos të mos përballet më as me bashkëmoshatarët, por të qëndrojë në shtëpi me të ëmën. Nga heshtja e institucioneve dhe mosveprimi i tyre edhe i mituri është dorëzuar duke u mbyllur në shtëpi.
Burimi: /Gazeta Dita, Top Channel