Kompanitë e qumështit me formulë për fëmijë po paguajnë platformat e mediave sociale dhe influencuesit për të fituar akses të drejtpërdrejtë tek gratë shtatzëna dhe nënat e reja në disa nga momentet më delikate të jetës së tyre.
Një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) i titulluar Shtrirja dhe ndikimi i strategjive të marketingut dixhital për promovimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit, ka përshkruar teknikat e marketingut dixhital të dizajnuara për të ndikuar në vendimet që marrin familjet e reja se si të ushqejnë foshnjat e tyre.
Nëpërmjet mjeteve si aplikacionet, grupet virtuale ose ‘klubet e foshnjave’, influencuesit me pagesë të mediave sociale, promovimet, konkurset dhe forumet ose shërbimet e këshillimit, kompanitë e qumështit formulë mund të blejnë ose mbledhin informacione personale dhe t’u dërgojnë promovime të personalizuara grave dhe nënave të reja shtatzëna.
Ky marketing i përhapur po rrit blerjet e zëvendësuesve të qumështit të gjirit dhe për këtë arsye po i pengon nënat të ushqejnë foshnjet me gji siç rekomandohet nga OBSH.
“Promovimi i formulave komerciale të qumështit duhet të kishte përfunduar dekada më parë,” tha Dr Francesco Branca, Drejtor i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore të OBSH-së. “Fakti që kompanitë e qumështit të formulave tani po përdorin teknika marketingu edhe më të fuqishme dhe tinëzare për të rritur shitjet e tyre është i pafalshëm dhe duhet të ndalet.”
Studimet tregojnë se si marketingu mashtrues përforcon mitet për ushqyerjen me gji dhe minon besimin e grave në aftësinë e tyre për të ushqyer me gji.
Pavarësisht dëshmive të qarta se ushqyerja e vazhdueshme me gji përcakton ecurinë e shëndetit gjatë gjithë jetës për fëmijët, shumë pak fëmijë ushqehen me gji siç rekomandohet. Nëse strategjitë aktuale të marketingut të qumështit formulë vazhdojnë, kjo përqindje mund të bjerë edhe më tej, duke rritur fitimet e kompanive.
OBSH i ka bërë thirrje industrisë së ushqimit për fëmijë që t’i japë fund marketingut shfrytëzues.
Sipas OBSH-së, ushqyerja me gji është mënyra më e mirë për t’u siguruar foshnjave lëndët ushqyese që u nevojiten për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm dhe mund të parandalojë 13% të vdekjeve të fëmijëve. Ushqyerja me gji gjithashtu vepron si vaksina e parë e foshnjave, duke i mbrojtur bebet nga shumë sëmundje të zakonshme të fëmijërisë.
Burimi: /Revista Class