Disa ditë pasi deklaroi për “Vogue Greece” se kishte kohë që përpiqej të ngelte shtatzënë dhe ishte përballur me zhgënjimin e IVF-ve të dështuara, Eleni Foureira u bë nënë për herë të parë më 7 shkurt.
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare solli në jetë një djalë, portretin e të cilit vetëm dje ka zgjedhur ta zbulojë për ndjekësit në Instagram gjatë një momenti aq të ëmbël teksa e ushqen me gji.
“Ti je arritja ime me e madhe, 07/02/23” -shkruan artistja e suksesshme krahas fotove me të birin, ku nuk kanë munguar urimet dhe bekimet.
Sakaq gjinekologu i këngëtares ka folur në emisionin “Happy Day” duke dhënë detaje për lindjen, bebin, por edhe forcën e treguar nga Eleni Foureira, e cila kishte pranë Alberto Botia, partnerin dhe babanë e djalit të saj.
Ndër të tjera ai u shpreh: “Ajo ka lindur në orën 15:20 të pasdites. Eleni Foureira ishte bashkëpunuese gjatë gjithë kohës dhe pati një lindje shumë normale.
Kur bëhesh nënë për herë të parë, emocionet janë më të forta dhe Eleni përpos lodhjes i shijoi ato. Ajo është një grua shumë e fortë, sshembull edhe për gratë e tjera që kanë patur dhe kanë probleme me shtatzëninë.“-përfundoi ai.