Ashtu siç kishte premtuar, videoklipi i këngës “Sekret” që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, luan me elementët e përrallës dhe legjendës
I xhiruar në kalanë e Gjirokastrës, klipi shfaq Vjosën (Ronela), një grua mahnitëse, e cila natën shndërrohet në përbindësh.
Koncepti i klipit, ideuar nga Ledion Liço, Rezart Gurashi dhe vetë Ronela, ndërtohet mbi bazën e një historie dashurie të ndaluar mes Vjosës dhe një djali, personazh që prezantohet nga aktori Florian Agalliu.
Zgjedhja e emrit Vjosa nuk duket aq rastësor, pasi me siguri përcjell rëndësinë e mbrojtjes së lumit Vjosa dhe shpalljen e tij si Park Kombëtar.
Veshjet, për të cilat është kujdesur Niko Komani, makeupi dhe flokët, të kuruar përkatësisht nga @sagerimakeup dhe Kaci Lleshi, transformohen totalisht duke përcjellë në njërin rast Ronelën si princeshë e herën tjetër një personazh të frikshëm legjendash.
Elementët i kanë rrënjët te folklori shqiptar, por sigurisht vijnë në formën “alla Ronela” që gjithmonë guxon me detajet avant-garde që përcjellin një ndjesi jashtë normalitetit.
Versioni i ri përmban edhe disa pjesë anglisht, por pjesa dërrmuese e këngës mbetet në shqip. Referuar komenteve online, duket se klipi është pritur shumë mirë.
Burimi: /Anabel