ChatGPT është një teknologji relovucionare që u lejon kompjuterëve të kuptojnë dhe t’i përgjigjen gjuhës së folur.
Ky model gjuhe kompjuterike është në gjendje të krijojë biseda “njerëzore” me një robot, t’u përgjigjet pyetjeve, të ndihmojë në shkrimin e një teksti, email-i apo edhe të kodojë.
Mira Murati diskuton për rreziqet e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe njëkohësisht ofron siguri për ndikimin e kësaj teknologjie në të ardhmen e njerëzimit.
Murati udhëheq ekipet e DALL-E, i cili përdor AI për të krijuar vepra arti bazuar në kërkesë, dhe ChatGPT, chatboti jashtëzakonisht i popullarizuar i AI, që mund t’u përgjigjet pyetjeve më të ndërlikuara me aftësi të frikshme njerëzore.
ChatGPT pushtoi imagjinatën e publikut pas publikimit të tij në fund të nëntorit. Ndërsa disa shkolla po e ndalojnë atë, Microsoft njoftoi për një investim prej 10 miliardë dollarësh në kompani, ndërsa Google ka shprehur shqetësimin se teknologjia mund të prishë biznesin e tij të kërkimit.
“Ashtu si me revolucionet e tjera nëpër të cilat kemi kaluar, do të ketë vende të reja pune si dhe shkurtime.” i tha Murati Trevor Noah vjeshtën e kaluar për ndikimin e AI, “por unë jam optimiste”.
Sipas Google Trends, ChatGPT e tejkaloi Bitcoin-in midis termave më të njohur të kërkimit në janar. Gjithë kjo vëmendje ka bërë që startup-i privat me bazë në San Francisko me 375 punonjës dhe të ardhura të pakta, të vlerësohet tani më rreth 30 miliardë dollarë. Murati foli për TIME rreth dobësisë më të madhe të ChatGPT, potencialin e pashfrytëzuar të softuerit dhe pse është koha për të bërë rregullime në AI.
ChatGPT mori një notë kaluese në një provim të liçensimit mjekësor në SHBA, një provim Shkollës së Biznesit Wharton dhe katër provime të rëndësishme universitare në shkollën juridike.
E pyetur për këto rezultate, Murati shprehet e emocionuar, por rrëfen se ka pasur edhe njëfarë frike. Ajo thekson se është kureshtare të shohë fushat ku ChatGPT do të bëhet i dobishëm për njerëzit, jo vetëm risi dhe kuriozitet.
Intervistuesi i ishte drejtuar ChatGPT për të formuluar një pyetje të mirë për krijuesen e tij. Ja cila ishte pyetja e gjeneruar nga roboti i chat-it: “Cilat janë disa nga kufizimet ose sfidat që keni hasur gjatë punës me ChatGPT dhe si i keni kapërcyer ato?”
Përgjigja e Muratit ishte e qartë. ChatGPT është në thelb një model i madh bisedimi – një rrjet i madh nervor që është trajnuar për të parashikuar fjalën tjetër – dhe sfidat me të janë sfida të ngjashme që shihen në modelet bazë të gjuhëve: mund të trillojë fakte të cilat mund të duken shumë bindëse. Kjo është një sfidë e madhe.
E pyetur se çfarë problemi zgjidh ChatGPT, duke patur parasysh se teknologjitë e reja krijohën pikërisht për këtë, Murati është shprehur se është ende herët për të folur me siguri. Megjithatë, programi ka potencialin për të revolucionarizuar me të vërtetë mënyrën e të mësuarit.
Në shkolla, klasat kanë rreth 30 studentë, secili prej tyre me prejardhje të ndryshme, mënyrë të ndryshme të të mësuarit, por programi mësimor dhe mënyra e mësimdhënies është e njëjtë. Me mjete si ChatGPT, mund të bisedohet pafund me një model për të kuptuar një koncept në mënyrë të përshtatshme menivelin e të kuptuarit të gjithësecilit.
Modeli ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar me edukimin e personalizuar.
Ndërkohë, disa shkolla po e ndalojnë përfdorimin e ChatGPT. Kjo vjen si pasojë e një shqetësimi rreth mundësisë së keqpërdorimit të teknologjisë nga persona të ndryshëm.
Gjithashtu, shumë drejtues në fushën e AI po paralajmërojnë për rreziqet që vijnë prej saj. Mendimi i Muratit rreth këtyre shqetësimeve është se ekzistojnë vërtet shumë probleme të vështira për t’u kuptuar dhe për t’u zgjidhur.
Por, ky është një moment unik në kohë ku ekziston njëkohësisht edhe mundësia për të formësuar shoqërinë njerëzore. Kjo shkon në të dyja drejtimet: teknologjia na formëson dhe ne e formësojmë atë.
Si mund ta bëjmë programin të bëjë atë që dëshirojmë dhe si të sigurohemi që të jetë në përputhje me qëllimin njerëzor dhe në shërbim të njerëzimit?
Ekzistojnë gjithashtu një sërë pyetjesh rreth ndikimit shoqëror, dhe ka shumë pyetje etike dhe filozofike që duhet t’i shqyrtojmë. Dhe është e rëndësishme që të merret në konsideratë mendimi i zërave të ndryshëm, si filozofë, shkencëtarë, artistë dhe profesionstë nga shkencat shoqërore.
Arsyeja etike është pikërisht përdorimi i AI për qëllime të këqija. Kështu që vetvetiu lind pyetja se si mund të rregullohet përdorimi i AI në përputhje me vlerat njerëzore?
Këto pyetje dhe shqetësime duhet të zgjidhen dhe të rregullohen nga qeveritë në bashkëpunim me rregullatorët e tjerë, pasi vetë kontributi i inteligjencës artificiale shkon përtej teknologjisë.
Nga ana tjetër, ekziston frika se përfshirja e qeverisë mund të ngadalësojë inovacionin. Por, është shumë e rëndësishme që të gjithë të fillojnë të përfshihen, duke pasur parasysh ndikimin që do të kenë këto teknologji në të ardhmen e njerëzimit./Time
Mira Murati, ka studiuar inxhinieri në Universitetin e Inxhinierisë Thayer në Dartmouth.
35-vjeçarja shqiptaro-amerikane nga San Fancisko, ka udhëhequr zhvillimin e projekteve të prodhimit të automjeteve të Tesla Motors, duke përfshirë modelin X, si dhe nisma revolucionare të industrisë ajore. Ajo ka mbikqyrur skuadrat e inxhinierisë dhe prodhimit të Leap Motion. Aktualisht, Mira është drejtuese e teknologjisë dhe operacioneve të OpenAI, kompania që ka krijuar modelin revolucionar ChatGPT dhe Dall-E.
Burimi: /Monitor.al