Prej ditësh po flitet për pjesëmarrjen e Presidentit të Ukrainës Zelenskyy në “Oscar 2022”. Lajmi ka qarkulluar, por pritet të vërtetohet sonte më mbrëmje kur do nisë ceremonia.
Tani, aktori i njohur Sean Penn, që ka vizituar edhe Ukrainën gjatë luftës, po i bën thirrje Hollywood-it që ta bojkotojë ceremoninë nëse Zelenskyy nuk do të paraqitet.
Ai foli për “CNN” dhe kërcënoi publikisht se do të thyejë në publik dy statujat e tij të Oscar nëse nuk ftojnë Zelenskyy-n në ndarjen e çmimeve.
“Nëse ndodh që Zelenskyy të ndalohet , unë do të inkurajoj të gjithë të bojkotojnë Oscar, megjithëse mund të jetë momenti i tyre dhe e kuptoj që është sepse duan të festojnë suksesin e filmave të tyre, por është më e rëndësishme për të protestuar dhe për të bojkotuar çmimet Oscar. Unë lutem që të mos ndodhë kështu. Unë lutem që të mos ketë njerëz arrogantë, të cilët e konsiderojnë veten përfaqësues të së mirës më të madhe në industrinë time, që kanë vendosur të mos e ftojnë presidentin ”, deklaroi ai.
Një nga prezantueset e këtij viti, Amy Schumer tha në fillim të kësaj jave se kishte propozuar që të ftohej Zelenskyy ose të shfaqej me video, por nuk u kuptua nëse organizatorët kishin rënë dakord me idenë e saj.