Katër ditë para “Alpha Show 2”, Noizy, ndërkohë që përgatitet të dhurojë spektakël, ka marrë dhe kohën e duhur për të reflektuar, falenderuar miqtë, personat e afërt dhe familjarët, si dhe për t’u kërkuar atyre një ndjesë publike dhe të sinqertë për të gjitha sfidat dhe shqetësimet që mund t’u ketë sjellë gjatë karrierës dhe rrugëtimit të tij.
Në një video të postuar në llogarinë e “Alpha Show” në Instagram, Noizy shprehet:
“Do të doja t’i falenderoja të gjithë ata që kanë besuar tek unë sepse bëhet fjalë (për një kohë të gjatë) që kur isha në Angli, para se të kthehesha. Sapo ishim formuar si grup dhe unë u thashë disa prej miqve të mi më të afërt që do të kthehesha në Shqipëri dhe do të bëhesha më i madhi (referuar suksesit në muzikë) dhe të gjithë çunat u mërzitën jashtëzakonisht shumë, sepse isha unë ai që formoi grupin dhe në mendjen e tyre ishte (pyetja) “Si mund të ikë lideri?” ose personi që investoi kaq shumë energji dhe kohë, me mendimin se në Shqipëri do të bëjë diçka që s’është parë më përpara”.
Noizy rrëfeu të gjitha sfidat e tij në vendin tonë, duke treguar sakrificat për të ndjekur ëndrrën, pasionin dhe karrierën:
“Erdha në Shqipëri, e investova gjithë kohën time në muzikë, lashë veten mënjanë, nuk u kujdesa për shëndetin, sepse ndoqa muzikën. Nuk u kujdesa për gjërat e mia më intime, pasi i kushtova vëmendje muzikës dhe ja ku jemi sot dhe për këtë, sinqerisht, dua të falenderoj të gjithë miqtë e mi që më mbështetën dhe s’më lanë asnjëherë ta bëj këtë rrugëtim i vetëm”.
Noizy nuk e kurseu edhe një kërkesë faljeje, pasi ndonjëherë edhe ai nxitohet dhe bëhet nevrik, por miqtë e falin shumicën e kohës.
“Ndonjëherë unë nxitohem e jam pak nevrik, e ndaj dhe ata ma falin shumicën e kohës. Por asnjëherë nuk i kam qëllimet e këqija, as ndaj atyre e as, ndaj çfardolloj personi kështu që miq, dashamirës, ju falenderoj nga zemra që më keni mbështetur të vij deri këtu. Nuk janë fjalë që thjesht po i përsëris, por askush nuk mund të arrijë asgjë pa miq e pa njerëz që ta duan të mirën”.
Reperi u ndal disa çaste edhe te familja e tij, duke i falenderuar, kërkuar falje dhe përçuar një mesazh të ndjerë.
“Familjen time dua ta falenderoj, por edhe t’i kërkoj falje. Do t’i falenderoj që më kanë mbështetur, më kanë dhënë forcë e nuk janë dorëzuar asnjëherë me mua. Do t’ju kërkoj falje për telashet që u kam sjellë pa dashje. Fakti që familja ime është bërë një familje që e njeh gjithë Shqipëria, që nuk ka qenë qëllimi i tyre, as i mamit, as i babit e as i motrës, duhet t’i ketë shqetësuar. Do t’i kërkoja falje edhe sepse privatësia e familjes sime, padashje, në njëfarë mënyre është shitur, për vetë faktin se djali i tyre është Noizy, është ky që është sot dhe ndoshta u kam sjellë dhe telashe nga kjo. Ju kërkoj falje e ndjesë që ju bëra shumë të famshëm dhe ju falenderoj që s’jeni dorëzuar”.
Në fund, artisti shprehet se zemra e tij, e Rigelsit është e familjes së vogël, por të bashkuar, ama Noizy dhe “Alpha Show” është i fansave të muzikës së tij, ndaj më 4 gusht, ju pret te sheshi “Nënë Tereza”.