Merret vendimi, ja sa do jetë çmimi i karburanteve deri më 1 Prill!

Brenda një jave çmimi i shitjes së karburanteve në vend është rritur tre herë rresht. Në vendimin e fundit të Bordit të Transparencës është vendosur që një litër naftë në pikat e karburanteve do të shitet me 245 lekë për litër, nga 233 lekë që ishte caktuar më herët.

Edhe në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës është rritur, fillimi i javës nisi me 106 dollarë për fuçi ndërsa aktualisht ka arritur në 119-120 USD për fuçi.

Sipas vendimit të bordit, çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar edhe këtë javë pra do të vijojë të shitet me 218 lekë për litër.

Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë ka vendosur çmimin tavan edhe për gazin e lëngshëm e cila për periudhën 26 Mars- 1 Prill 2022 do të tregtohet me 110 lekë/litri, duke pësuar një rritje me 17 lekë nga çmimi i mëparshëm 93 lekë për litër.

Vendimi i Bordit të Transparencës:

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 25 Mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/litër për periudhën 26 mars- 1 prill 2022.

2. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të jetë 245 lekë/litri.

3. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 218 lekë/litri.

4. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 26 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e premte, datë 1.04.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.