Kompozitori i njohur shqiptar Valentin Veizi, dy herë fitues i Festivalit të Këngës në 96-97′, me interpretimet e Elsa Lilës, duket se sot, ndodhet në një “luftë të ftohtë” me këtë të fundit dhe si shkak është përsëri Festivali i Këngës.
“Pyes Lotin” me autor Veizin ka ardhur në një version tjetër nga Elsa Lila dhe reperi Capital T, por kjo solli reagimin e menjëhershëm të Veizit, i cili kërkonte që kënga e tij të mos bëhej pis.
Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Euronews Albania, kompozitori tregon se ai nuk ka folur me Elsa Lilën, ndërkohë që ka ndjerë dhimbje kur ka parë këngën e tij të deformuar.
“Duhet të komunikonin ata me mua për këtë mendim që kishin. Nuk kam arsye të flas me këdo, nuk do e bëj pazar me muhabete telefoni. Shikoj në YouTube, në ekran këngën time, e dëgjoj me autor tjetër, një këngë që unë jam krenar për” Pyes Lotin “. Unë kam thënë mos ma bëni pis, në fakt është më tepër, është dhimbje. Më mirë mos e kisha dëgjuar në fakt, ka keqen jam ndjerë kur kam dëgjuar atë këngë në atë variant që u soll”, theksoi ai,
Pas ankesës së Veizit, YouTube i ka dhënë të drejtë duke fshirë këngën e versionit të ri. Ai tregon se nuk është një luftë personale sesa me fenomenin e grabitjes dhe tjetërsimit të këngëve, pa lejen e autorëve.
” Pyes Lotin “e merr X-Y, pa leje dhe e bën si do vet. “Këputa një gjethe dafine” e merr një reper tjetër, “Për ty atdhe” e merr dikush tjetër. Çfarë mbetet? Po shndërrohet kultura e këngës shqiptare, dëmi është shumë i fuqishëm. Nuk jam kundra sjelljes në kohë, unë kam shumë këngë që janë sjellë ndryshe, por pa ndryshuar strukturën dhe duhet kujdes me këtë punë. Nuk preket, janë disa gjëra që nuk preken. Mos i prek se të djegin, mos e prek zjarrin. Ti mund te marrësh tokën e dikujt është ta nxjerrësh e nga shtëpia, por artin nuk e merr dot”, nënvizoi Veizi.
Tekstshkruesja e ‘Pyes Lotin’ është poetja Enrieta Sina, ndërkohë që Veizi është fitues i diskut të artë si kompozitor i këngës, i vlerësuar si një nga 13 kompozitorët më të mirë në Amerikë, sot autor i disa këngëve, dirigjent, ku kohët e fundit ka realizuar muzikën e disa filmave shqiptarë dhe të huaj.
Burimi: EuroNews.al