Ori Nebijaj nga sot është zyrtarisht deputete e Kuvendit të Shqipërisë, teksa ka bërë betimin në nisje të seancës plenare, moment të cilin moderatorja e ka ndarë edhe në Instagram.
Kështu, në video-n që ka postuar në rrjetin social, duket momenti kur Ori bën betimin e saj, ndërsa fjala “Betohem” shoqërohet me duartrokitje nga kolegët e rinj të saj, si edhe me buzëqeshjen e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila i uron mirëseardhjen deputetes më të re të Parlamentit.
Më herët ajo postoi edhe një foto në InstaStory, në vendin e saj në Parlament, teksa bashkangjitur shkruajti: “Me bekimin e Zotit, uroj të bëhet më e mira për të gjithë ne”.
Kujtojmë se moderatorja la në mes aventurën e re që kishte nisur në drejtimin e Për’puthen këtë sezon televiziv, për të pranuar mandatin si deputete e PD, të lënë bosh nga Grida Duma, e cila ka nisur vetë moderimin e një programi në Top Channel.