Dje, kreu i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj u prezantua si kandidati kryesor i Partisë Socialiste për president dhe sot, pritet të votohet si kreu i ri i shtetit.
Kandidatura e Begaj do të kalojë për votim në parlament në orën 18:00, ku do të duhen të paktën 71 vota për t’u zgjedhur si kreu i ri i vendit. Nëse zgjidhet, Bajram Begaj do të jetë Presidenti i 7-të i Shqipërisë në 32 vite pluralizëm politik pas Sali Berishës, Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit, Bujar Nishanit dhe Ilir Metës.
Po kush është i propozuari për president nga kryeministri Rama?
Me një karrierë më shumë se 30-vjeçare, Bajram Begaj ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe prej vitit 2020 shërben në rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Më parë ai ka shërbyer në disa poste të rëndësishme si Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, Kryeinspektor, dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Studimet e larta, kandidati për president i ka kryer për mjekësi të përgjithshme në 1989-ën, fushë në të cilën ka marrë dhe doktoraturën. Begaj është nderuar edhe me titullin “General Major” nga presidenti Meta, duke hyrë kështu në historinë e Forcave të Armatosura si mjeku i parë në ushtri që merr gradën më të lartë.
Burimi: Euronews